LAJMI I FUNDIT:

SHBA-ja po dërgon mbrojtje ajrore me vlerë 275 milionë dollarë në Ukrainë

SHBA-ja po dërgon mbrojtje ajrore me vlerë 275 milionë dollarë në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara po përgatiten t’i dërgojnë Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë 275 milionë dollarë, e cila do t’i mundësojë asaj të mbrohet kundër dronëve dhe të forcojë mbrojtjen ajrore, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.

Kjo e fundit shkruan se detajet e pajisjeve anti-drone dhe të mbrojtjes ajrore nuk dihen ende.

Sipas dokumentit, Pentagoni pritet të përfshijë raketa për sistemin Lockheed Martin HIMARS, municione 155 mm, automjete ushtarake Humvee dhe gjeneratorë.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk pranoi të komentojë mbi paketën e ndihmës. Vëllimi dhe vlera e paketave të ndihmës mund të ndryshohet derisa të nënshkruhen nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Shuma prej 275 milionë dollarësh do të mbulohet nga kompetencat presidenciale që lejojnë SHBA-në të transferojë pajisjet e mbrojtjes nga stoku pa miratimin e Kongresit në rast emergjence.

Qëllimi i sulmeve raketore ruse në Ukrainë është pjesërisht që të shterojnë furnizimet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe të fitojnë dominimin në hapësirën ajrore mbi atë vend, tha një zyrtar i lartë i Pentagonit.

Për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve, SHBA dërgoi në Ukrainë sisteme të sofistikuara kundërajrore NASAMS, të cilat funksionojnë prej disa javësh. Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi të enjten për të ofruar të paktën 800 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën gjatë vitit të ardhshëm. /Telegrafi/