LAJMI I FUNDIT:

SHBA, bie ekonomia

SHBA, bie ekonomia

Ekonomia amerikane pësoi një rënie surprizë, në -0.1 për qind, në tremujorin e katërt të vitit 2012, treguan të dhënat paraprake. Nëse rikthimi në recesion do të konfirmohet, kjo do të ishte rënia më e madhe e ekonomisë amerikane që prej vitit 2009, kur vendi u godit nga kriza e pasurive të patundshme.

Të dhënat janë veçanërisht befasuese pas rritjes së fortë të regjistruar në tremujorin korrik-shtator, kur u regjistrua një rritje prej 3.1 për qind. Rendimenti i ekonomisë në periudhën tetor-dhjetor duket se është dëmtuar nga debati për buxhetin, masat shtrënguese të paralajmëruara dhe hyrja në fuqi e rritjes së taksave që nga data 1 janar.

Sipas ekspertëve, shumë kompani reduktuan investimet e tyre drejt fundit të 2012-s, duke u përgatitur për barrën fiskale shtesë që do të përballojnë që prej fillimit të vitit aktual.


Ndërkohë, presidenti Barack Obama dhe Kongresi pritet të përballet sërish në javët në vazhdim, në lidhje me mënyrën e përballimit të borxhit kombëtar.

Thesari amerikan i shtetit po i afrohet kufirit të borxhit prej 16.4 trilionë dollarëve dhe do t’i nevojitet aprovimi i Kongresit, për të huazuar shuma të reja, në mënyrë që shteti të jetë në gjendje të vazhdojë të paguajë detyrimet e tij.

Në një situatë të tillë, spekulohet se kompanitë e vlerësimeve financiare mund të jenë pranë zhvlerësimit të ekonomisë amerikane, e cila për momentin qëndron në nivelin më të lartë, AAA sipas “Standart & Poor”. /Telegrafi/