LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Pas COVID-19, duhet të ketë një plan të zbatueshëm për rimëkëmbje ekonomike

Rukiqi: Pas COVID-19, duhet të ketë një plan të zbatueshëm për rimëkëmbje ekonomike

Në një intervistë për Telegrafin, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka folur për pakon e parë emergjente të ndarë nga Qeveria pas pandemisë COVID-19.

Rukiqi ka treguar në këtë intervistë se si kishte nisur hapat me institucionet e odat tjera ekonomike që tu ndalin në ndihmë kompanive, bizneseve dhe organizatave të prekura pas pandemisë.


Gjendja ekonomike mund të përkeqësohet në vend, mirëpo sipas Rukiqit lajmi i mirë për bizneset është se gjithmonë pas këtyre krizave fillon ngritja.

Ai ka thënë se nëse gjendja pandemike shkon në katër muaj apo gjashtë muaj, kjo kalon në depresion ekonomik.

Kryetari i OEK-ut, ka deklaruar se janë punuar me të gjitha palët që të ketë një plan të zbatueshëm për rimëkëmbje ekonomike për gjashtë muajt e ardhëm apo më gjatë.

Telegrafi: Oda Ekonomike e Kosovës nga fillimi ka adresuar çështjet ekonomike pas pandemisë COVID-19 dhe në fund kemi një rezultat ku Qeveria ka propozuar një pako emergjente. Si është pritur kjo pako dhe në çfarë faze jemi sot?

Rukiqi: Edhe para se të fillojnë masat kufizuese dhe kur Kosova e kishte çështje ditësh ballafaqimin me COVID-19, unë kam kërkuar që të mobilizohemi të gjithë që krahas masave për ruajtjen e shëndetit publik, të kemi veprime të shpejta, veprime të çarta dhe pragmatike për të adresuar sfidat ekonomike që sjellë një pandemi. Kjo është një situatë e re dhe e panjohur jo vetëm për ne por për gjithë botën. Ekonomia botërore është në një situatë që nuk ka qenë prej një shekulli. Edhe në vendet që janë shumë më të zhvilluara dhe kanë ekonominë shumë më të qëndrueshme se ne janë përgatitë për këtë situatë jo të lehtë.

Kjo ka qenë arsyeja pse unë qysh në fillim bashkë me institucionin që përfaqësoj kolegë tjerë nga organizatat tjera biznesore kemi marrë këtë iniciativë që të fusim në debat krahas asaj se si të ruhemi nga pandemia edhe atë që të mos futemi në një krizë ekonomike që ka pasoja sociale, ekonomike e psikologjike.

Çfarë ka ndodhur. Fillimisht ne jemi ballafaquar me vendimin e parë me datën 13 apo 14 shkurt për masat kufizuese që ka krijuar mjaft telashe në treg. Ne jemi munduar të sqarojmë se ata sektorë që munden me operua të mos ndalen. Pronarët e kompanive janë ballafaquar edhe me refuzim të punëtorëve për të punuar. Edhe punëtorët normalisht se i kanë pasur arsyet e veta.

Telegrafi: Pra ka pasur edhe probleme të nivelit të tillë?

Rukiqi: Po ka pasur probleme të tilla që edhe sot po i shohim. Shumë sektorë që kanë mundur të operojnë pasi që punëtorët nuk kanë dashur të punojnë, pasi janë krijuar probleme të tilla si transporti apo ushqimi etj., kufizime që kanë pamundësuar sektorë të tërë që kanë mundur të punojnë, të funksionojnë. Tash e kemi një situatë kur sektorë si restorane, kafiteri, hotele, transporti etj., janë plotësisht të mbyllura. Kemi sektorë si ndërtimtaria, prodhimi etj., që punojnë me kapacitet minimal.

Jemi në një situatë ku shumë pak sektorë të ekonomisë janë duke funksionuar. E para. Dhe e dyta, në bazë të vlerësimeve të ndryshme edhe të brendshme edhe të akterëve tjerë se sa janë duke funksionuar bizneset, ne nuk kemi më shumë se 50% e bizneseve që janë duke punuar sadopak. Ndërsa pjesa tjetër do të mbyllet shumë shpejt, pasi nuk ka konsum, ose do të limitojnë aktivitete. Shembull te derivatet e naftës nuk punohet më shumë se 5%-10% maksimumi pasi nuk kemi industri e as qarkullim të veturave. E njëjta ndodh edhe me energjinë elektrike apo prodhimin. Kështu që jemi duke hyrë në një fazë ku një pjesë minimale e ekonomisë do të funksionojë. Vetëm furnizimin bazik dhe barnatoret ndërsa pjesa tjetër do të jetë para një gjendje që nuk e ka pa ndonjëherë.

Telegrafi: Si është pritur pako emergjente pasi ka pasur disa paqartësi e paknaqësi se kush dhe si do të përfshihet, pastaj dalin disa qartësime edhe nga ana juaj si Odë por edhe nga ana e ministrit Besnik Bislimi e institucionet tjera.

Rukiqi: E para është se duhet pasur një konsensus që duhet të ketë një pako për biznese dhe ky konsensus është arritur. E dyta. A është pako e duhur, gjithmonë në kësi lloj situatash të gjithë kanë nevoja të ndryshme dhe dikujt i bie tamam e dikujt jo. Në masë të madhe ka gjëra që nuk i bien tamam askujt. Ne kemi konsideruar padrejtësi të madhe që me taksat tona sektori publik është paguar 100%. E kuptojmë që ka kufizime ligjore, por në shumë vende, si Sllovenia shembull,  ka ulur në 30% pagat për sektorin publik në mënyrë që të ruaj buxhetin dhe të përkrahë sektorin privat. Pastaj, ka kategorizimi si ndërmarrje të mëdha, mesme apo të vogla. Nuk mund të bëhen kësi lloj kategorizimesh pasi në këtë situatë të gjitha janë prekur. Realisht ndërmarrjet e mëdha janë shumë më të prekura pasi kanë kosto operative më të madhe. Pastaj te stimulimet. Është kërkuar që të stimulohen ose të gjithë, ose ata që janë të ekspozuar. Është përfshirë vetëm një kategori. Te vlera 170 euro. Ka pasur shoqata që kanë kërkuar kompensim të plotë të pagave pasi e njëjta është bërë edhe te sektori publik. Por ne edhe këtu duhet të jemi real dhe t’i shohim mundësitë buxhetore. Krejt çfarë kemi synuar ne ka qenë mes pagës mesatare që ka sektori publik dhe ai privat.

Në anën tjetër po mendojnë se duhen edhe më shumë mjete për likuiditet. Pos konsensusit që kemi arritur për pakon emergjente, ne kemi biseduar edhe me Ministrin dhe akterë të tjerë, e tash jemi duke biseduar edhe me parti parlamentare që të shikojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe financiare që këtë pako ta pasurojmë dhe ta kemi drejtpërdrejt në dobi të atyre nevojave prioritare. Mos të harrojmë se jemi vetëm në 15 ditët e para të pandemisë dhe ky është vetëm fillimi i krizës.

Ajo që ne po insistojmë dhe që kemi insistuar nga dita e parë, që duhet të ketë një plan të zbatueshëm për rimëkëmbje ekonomike e që ky plan duhet të jetë për gjashtë muajt e ardhëm apo më gjatë.

Telegrafi: Pas pandemisë COVID -19 ekspertët e ekonomisë po vlerësojnë se do të ketë ‘pandemi ekonomike”. Mund të ndodh një krizë më e madhe?

Rukiqi: Një cunam ekonomik po quhet kjo pandemi. Ka edhe terma të tjerë, por sido që të quhet, varësisht nga kohëzgjatja janë edhe pasojat. Nëse shkon në katër muaj apo gjashtë muaj, kjo kalon në depresion ekonomik. Po shpresojmë se nuk do të shkojë aq gjatë. Po shpresojmë brenda tre muajve do të kalohet kriza ne nivel global e rajonale pastaj te ne. Normaliteti i ri nuk do të jetë me atë që e kemi pasur para pandemisë. Fatkeqësisht neve për herë të parë në jetën tonë do të na kthehet tema që ekonomia dhe sektori privat duhet të trajtohet. Ne gjithë duhet të ulemi e të bëjmë një plan të implementueshëm që sadopak të zbusë dëmin që u krijua dhe do të krijohet. Mos të harrojmë se një pjesë të madhe të konsumit e kemi nga remitencat që priten të bien. E konfirmoi edhe Banka Qendrore e Kosovës që çdo muaj ka rënie prej -2% në ekonomi. Nëse flasim me shifra kjo i bie që kriza i kushton Kosovës 10 milionë euro në ditë.

Telegrafi: Për fund z.Rukiqi,  nëse ‘cunami ekonomik’ vazhdon, cili do të jetë mesazhi juaj për kompanitë, bizneset apo institucionet në Kosovë, pasi si duket jo vetëm muaj Prill por edhe Maji do të jenë problem?

Rukiqi: Në gjithë këto lajme të këqija, lajmi i mirë për bizneset është se gjithmonë pas këtyre krizave fillon ngritja. Por për të kapur atë momentum, ne duhet të bëjmë veprime të mençura, për të cilat ne po kujdesemi që të ofrojmë ekspertizën tonë. E dyta. Të gjithë ne si shoqëri duhet të pranojmë se po përballemi me disa vështirësi që nuk jemi ballafaqua deri më tani. Ne kemi dalë mbas lufte por kemi pasur shumë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtarë e diaspora për t’u rimëkëmbur. Tash i gjithë globi është në vështirësi. Bizneset duhet të pajtohen se këto vështirësi janë ekzistente dhe duhet të fillojnë të mësohen me situatën e re dhe duhet ta planifikojnë rimëkëmbjen por kjo nuk bëhet pa përkrahjen e shtetit dhe komunitetit ndërkombëtarë./Telegrafi/.