LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Nuk ka rritje të interesit për ata që shtyjnë kreditë

Rukiqi: Nuk ka rritje të interesit për ata që shtyjnë kreditë

Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bashkë me Drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kanë mbajtur një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ku përfundimisht është sqaruar se bankat komerciale që veprojnë në vend nuk mund të aplikojnë interes shtesë për periudhën e shtyrjes së kredisë gjatë kohës së pandemisë.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Rukiqi thotë po ashtu se interesi i rregullt duhet të përllogaritet, por i njëjti duhet të paguhet, i shpërndarë në një periudhë 12 mujore, prej momentit të rifillimit të pagesës së kredisë.


Sot bashkë me Drejtorin e OEAK, Arian Zeka, kemi mbajtur takimin e radhës me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës,  Fehmi Mehmeti dhe përfundimisht e kemi sqaruar që:

Bankat nuk mund te aplikojnë interes ndëshkues, për periudhën e shtyrjes së kredisë;

Interesi i rregullt duhet të përllogaritet, por i njëjti duhet të paguhet, i shpërndarë, në një periudhë 12 mujore, prej momentit të rifillimit te pagesës së kredisë;

Në asnjë rast, vonesa për shkak të krizës, nuk do të ndikon në prishjen e rejtingut, të asnjë klienti”, ka thënë Rukiqi. /Telegrafi/