LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Kosova nuk e ka luksin të humb asnjë vend pune

Rukiqi: Kosova nuk e ka luksin të humb asnjë vend pune

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka bërë të ditur se Kosova nuk e ka luksin të humb asnjë vend të punës.

Rukiqi përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nesër do t’u drejtohet me letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të apeluar për veprim të shpejtë institucional në përkrahje të bizneseve, përcjell Telegrafi.

Ai ka marrë edhe shembullin e një ndërmarrje në të cilën është bashkëpronar e që sipas tij do të detyrohen të shuajnë së paku 25 vende të punës.

“Çka nënkupton për këtë biznes, mosveprimi i shpejtë institucional në përkrahje të bizneseve. Do të detyrohemi të mbyllim së paku disa pika të shitjes, së paku 25 vende pune do të shuhen”, ka shkruar Rukiqi.

Të hënën, ai kishte thënë se rritja e rasteve me COVID-19 duhet të parandalohet me vetëdijesim e jo me mbyllje të bizneseve dhe urgjentisht duhet të merret vendim për përkrahje specifike të gastronomisë dhe transportit.

Sipas tij, Pakoja Emergjente nuk arriti të adresojë asnjë emergjencë dhe pësoj devalvim në të gjitha aspektet, duhet të zbatohet në tërësi pa asnjë vonesë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ka miratuar vendimin për masat e luftimit të pandemisë COVID-19, me të cilin ka obliguar institucionet kompetente që të rrisin kapacitetet për të trajtuar rastet e prekura me virus.

Nga 6 korriku mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21:00 deri 05:00
Lexo po ashtu Nga 6 korriku mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21:00 deri 05:00

Sipas këtij vendimi, nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme), do t’iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas Qeverisë së Kosovës, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet çdo dispozitë e mëparshme që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij vendimi. /Telegrafi/