Rrugët po bëhen çdo herë e më të rrezikshme: 5500 të aksidentuar në QKUK brenda këtij viti (Video)
Konsumimi i alkoolit e tejkalimi i shpejtësisë janë dy elementet nga të cilat humbën jetën rreth 22 persona në rrugë këtë vit, raporton KTV.
Kjo shifër tregon edhe rritje të statistikave, krahasuar me vitin e kaluar.
Vetëm në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mijëra persona, nga ta shumica të rinj.
Në Policinë e Kosovës pranojnë se duhet shtuar kontrollet, por thonë se nuk janë të vetmit që bartin përgjegjësinë për aksidentet që ndodhin.
Sipas tyre, edhe neglizhenca e gjykatave në trajtimin e këtyre lëndëve po “ndihmon” në ngritjen e këtyre shifrave.
Gjatë javës së kaluar, në Prishtinë janë regjistruar 64 aksidente.
Të shtunën pas mesnatës, një i ri ka humbur jetën në qendër të qytetit, si pasojë e goditjes së një veture, shoferi i së cilës ishte nën ndikim të alkoolit.
Ndërkaq, mbrëmjen e së dielës, është goditur një këmbësor për vdekje po në Prishtinë. Atë vetura e parë e kishte përplasur në anën tjetër të rrugës, për ta goditur e tërhequr zvarrë edhe një tjetër.
Me dëme materiale ka rezultuar edhe një aksident te rrethrrotullimi në Lakërishtë, ku vetura i kishte shpëtuar rrokullisjes nga lartë, nga mbrojtëset e metalit.




















































