LAJMI I FUNDIT:

Rritja ekonomike e Shqipërisë, e dobët

Rritja ekonomike e Shqipërisë, e dobët

Shefja e zyrës së Bankës Botërore (BB) në Tirana, Kseniya Lvovsky ka deklaruar sot se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013 ka qënë e dobët por më e mirë sesa vendet e tjera të rajonit. Në një konferencë për shtyp me rastin e përfundimit të mandatit të saj në Shqipëri, Lvovsky ka theksuar se partneriteti i Bankës Botërore dhe autoriteteve shqiptare ka qënë pozitiv duke pasur një sërë arritjesh.

“Viti 2013 ka qënë një vit i vështirë si pasojë e ndikimit të krizës së zgjatur në Eurozonë . Shqipëria ka pasur probleme me huatë si dhe në sektorin privat. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qënë e dobët por ka ecur më mirë sesa vendet e tjera fqinje. Partneriti ynë me Shqipërinë ka pasur një sërë arritjesh. Autoritetet shqiptare kanë miratuar një sërë aktesh që kanë ndikuar në sektorin financiar siç janë ndryshimet e bëra në kodin e procedurës civile dhe këto janë mjaft të rëndësishme. Investimet tona kanë përfshirë sektorë të ndryshëm, me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, theksoi Lvovsky.

“Është rehabilituar porti Sarandës, janë rregulluar rrugët në shumë qytete, janë sistemuar një sërë kanalesh kulluese në zonat e përmbytjeve, është përmirësuar shërbimi i regjistrimit të tokës. Një program për të mbështetur punësimin e të rinjve në komunat e Tiranës dhe Durrësit është përmbushur në muajt e parë dhe Shqipëria ka përmbushur kushtet e transparencës së industrisë nxjerrëse me arritjet e saj të mëdha. Vitin e shkuar ne kemi realizuar dy projekte të rëndësishme prej 100 milionë USD. Gjatë vitit të shkuar fiskal ne kemi siguruar mbështetje analitike dhe teknike”, tha Lvovsky.

Ndërsa i cilësoi zgjedhjet si historike, shefja e Bankës Botërore listoi 3 fusha në të cilat duhet të punojë qeveria e re për të bërë të mundur një Shqipëri europiane. “Ka shumë mundësi që Shqipëria të ketë një administratë profesionale dhe të depolitizuar. Mbajtja e personave profesionist do të jetë një test për qeverinë e re për të bërë të mundur integrimin në Bashkimin Europian. E dyta; Vazhdimi dhe përshpejtimi i reformave strukturore. Kjo është shumë e rëndësishme dhe bëhet e tillë në këtë kohë krize që ka përfshirë Europën. Do të jetë mirë të vijohet me përshpejtimin e reformave dhe të përshpejtohet zbatimi i tyre si për asistencën sociale, inspektimet, procedurat e kontabilitetit”, tha Lvovsky.

Ajo këshilloi Qeverinë e re që të bëjë një selektim strategjik të reformave duke u përqendruar vetëm tek ato që kanë përparësi për vendin. Gjithashtu ajo theksoi se ngritja e një këshilli fiskal dhe rifillimi i bashkëpunimit me FMN-në nga ana e qeverisë së re do ta ndihmojë Shqipërinë të rimarrë një zhvillim të qëndrueshëm. /Telegrafi/