Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut duket se po i jep fund viteve të tëra kursimi në buxhetin e mbrojtjes. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, aleatët europianë, anëtarë të NATO-s dhe Kanadaja kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes me 3.8 për qind gjatë vitit të kaluar, ose 10 miliardë dollarë më shumë sesa në vitin 2015, e tendenca vazhdon në të njëjtin drejtim.
“Shpenzimet në mbrojtje janë rritur mes aleatëve europianë dhe Kanadasë, më shumë nga sa kishim parashikuar fillimisht. Por është absolutisht jetësore që ne të ruajmë ritmin”, tha Jens Stoltenberg.
Këto komente, Stoltenberg i bëri një ditë para takimit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis. Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar ashpër shpenzimet në mbrojtje të Evropës, duke thënë se anëtarët e NATO-s duhet të japin kontributet e tyre të plota dhe të duhura financiare, edhe pse rritja e shpenzimeve të vitit të kaluar i atribuohet në pjesën më të madhe aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe shqetësimeve për militantët islamikë, transmeton tch.
Sidoqoftë, Stoltenberg tha se Trump kishte nënvizuar nevojën për më shumë shpenzime në mbrojtje, në dy telefonatat që kanë pasur, por pa lënë mënjanë rëndësinë e ndarjes së drejtë të peshës financiare.