LAJMI I FUNDIT:

Maska dhe syze në mbrojtje nga COVID-19. Dorezat nuk ndihmojnë: Rrini në shtëpi!

Maska dhe syze në mbrojtje nga COVID-19. Dorezat nuk ndihmojnë: Rrini në shtëpi!

Si të mbrohemi nga coronavirusi: Rri në shtëpi, mbani distancën prej së paku 2 metra nga çdokush, jashtë mbani maskë artizanale dhe syze. Dorezat nuk ndihmojnë. Dhe të tjera mbi situatën COVID-19 në botë…


Dr. Hektor Grazhdani, PhD,
mjek radiolog në Romë, Itali

Prej më shumë se një muaji, njeriu me i dashur për amerikanet është Dr. Anthony Fauci, eksperti infektolog dhe epidemiolog i Task Force Coronavirus të Shtëpisë së Bardhë. Prej 1984 shef i Institutit të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, ka këshilluar 6 presidentë. Për amerikanet ai është zëri i të vërtetave shkencore, zëri i arsyes, është personi që ata e dëgjojnë dhe që i jep qetësi.

Çdo dite nga zyra e tij jep intervista televizioneve prej rreth 10 minutash (i gjeni ne YouTube). Informimit të publikut ai i jep rëndësi. Në konferencat për shtyp të Presidentit Trump, nga gjithë pjesëtaret e Task Force, është i vetmi që me stil të habitshëm dhe diplomaci, guxon dhe deklaron të kundërtën e asaj që thotë Trump.

Me emrin e Dr. Anthony Fauci shiten kapele, bluza, gota, ëmbëlsira, etj., me shkrimet: “Fauci”; “Dr. Anthony Fauci”; “In Fauci we trust” – ne i besojmë Fauci-it.

Që nga muaji shkurt Dr. Fauci fle çdo ditë vetëm 4 orë natën, punon pandërprerë. Në këtë lufte është momenti i tij. Dr. Fauci-t i kanë vënë mbrojtje me truproje, sepse grupe ekstremistesh i kanë bëre kërcënime me vdekje.

Dr. Fauci nga një televizion u pyet: “a do të vini maskë?”. Këtë pyetje e bëri gazetari pasi një artikull shkencor prestigjioz që sapo doli, i referohej gjetjes se gazi që del me pika të vogla dhe të padukshme pështyme, me anë të kollës arrinte deri në 6 metra dhe ato të teshtitjes deri në 8 metra (teshtitja shumë e rrallë në Covid-19, kolla e thatë është tipike e Covid-19). Dr. Fauci u përgjigj: “me punën që bëj unë jam gjithmonë brenda, por po të dal përjashta, e para do të mbaj distancën 2 metra nga të tjerët dhe do të vë maskë artizanale, sepse nëse rastis ndonjë person rrotull, maska është një masë mbrojtjeje”.

Shteti i Kalifornisë dhe ai i New Yorkut, janë të parët që kërkuan nga qytetarë maska artizanale kur dalin jashtë shtëpisë. Menjëherë pas tyre doli këshilla e Task Force e Shtëpisë së Bardhe për të gjithë amerikanet, e thënë nga vet Presidenti Trump: amerikanët këshillohen të mbajnë maska artizanale. Detajet i jep CDC Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve: në web sitin e saj tregon si t’i bëni në shtëpi maskat dhe si të përdorni ato. Herë pas herësh, maska duhet larë, me larje të zakonshme dhe kjo varet nga sa shpesh e përdor. CDC porosit që kur e vini dhe e hiqni maskën, të mos prekni gojën, hundën dhe sytë. Këto janë portat e hyrjes së coronavirusit dhe duart mund t’i keni të palara.

Përveç maskës duhen vënë edhe syze, më mirë nëse janë të mëdha; syze ose optike ose syze dielli. Maska bashkë me syzet, mbrojnë gojën, hundën dhe sytë nga rënia e piklave të vogla dhe të padukshme të pështymës që dalin nga një njeri kur ai kollitet, teshtin ose edhe vetëm kur flet. Duke folur këto pika pështyme nuk dalin me atë shpejtësi me të cilën dalin nga kolla dhe teshtitja, pra nuk arrijnë larg. Dy metra distancë, është një mbrojtje mjaft e mirë.

Maska dhe syzet nuk të mbrojnë dot nga aerosoli me virus që mbetet në ajër afër personit që ka infeksionin kur ai kollitet, teshtin, flet ose që del vetëm nga frymëmarrja e tij. Edhe vetëm me frymëmarrje, i infektuari nxjerr nga mushkëritë jashtë, afër vetes, viruset me aerosol. Kuptohet që mbrojtja është distanca mbi 2 metra. Ndërsa mbrojtja më e sigurt është të rrish në shtëpi. Maska që ju vini, mbron te tjerët nga pikat e pështymës që mund të dalin nga goja juaj.

Dorezat janë fare të panevojshme. Virusi nuk futet në trup nga lëkura e duarve. Patjetër kujdes mos prekni me duar fytyrën: mos kruani syrin, hundën dhe mos vini dorën te goja, sepse jashtë mund të keni prekur objekte të ndotura me coronavirus dhe viruset mbeten në gishta edhe po të keni doreza. Sapo hyni në shtëpi lani duart me sapun.

Shefi i Mjekësisë Ushtarake te SHBA, Surgeon General, anëtar i Coronavirus Task Force, tregon me video në YouTube si ta bësh një maskë pa bërë qepje: How to Make Your own Face Covering.

Për larjen e maskës unë mendoj këtë: gjëja më e rëndësishme është të jetë një maskë ndryshe me ngjyrë faqja e jashtme nga faqja e brendshme, në mënyrë që të njëjtën anë të maskës ta keni gjithmonë jashtë sa herë që e vini në fytyrë. Kjo anë e jashtme mund të jetë e ndotur me pikla të vogla pështyme të të tjerëve që ju kanë rastisur afër dhe këtë anë të mos e vini mbi gojë. Kur e vini dhe e hiqni maskën, mos e prekni pjesën e jashtme, por kapeni maskën vetëm nga rripat. Dhe mos prekni me duar gojën, hundën dhe sytë. Sapo arrini në shtëpi, hiqni maskën nga rripat dhe lani duart mirë me sapun për 20-30 sekonda.

Unë, sapo futem në shtëpi, i heq këpucët dhe rrobat dhe i lë ato afër derës. Ato mund të jenë të ndotura me virus. Mundësia është shumë e vogël. Edhe që të infektohesh duke prekur ato është shumë e rrallë. Por i laj duart mirë. Mbrohem.

Infektimi me coronavirus ndodh kryesisht me ajër, kalon nga njeriu në njëri kur personat janë afër njëri-tjetrit. Coronavirusi është shumë ngjitës dhe kur njerëzit janë afër një të infektuari, përhapet te ata si zjarri në kashtë.

Coronavirusi nga i infektuari (i sëmurë ai ose i shëndetshëm) bie me pikla të vogla pështyme mbi objekte dhe është gjetur se jeton mbi karton deri një ditë, ndërsa mbi sipërfaqe të lëmuara si plastikë dhe metal, jeton deri në 2-3 ditë. Piklat e vogla të pështymës thahen dhe pastaj viruset që ato kanë, në mënyrë progresive gjithmonë e me shumë, humbasin. Coronavirusi zhduket më shpejt në ambient të ngrohtë.

Unë kur blej ushqimet i lë ato prapa derës sapo hyj, për 3 ditë, kështu e di që nëse kanë coronavirus, pas 3 ditësh nuk kanë më. E përsëris, është gjë e rrallë të infektohesh kështu. Infektimi ndodh kryesisht me ajër. Edhe maskën, nëse nuk e përdor për 3 ditë, mund ta konsiderosh pa virus.

Në një dhomë të mbyllur ku është kollitur një i sëmurë COVID-19, aerosoli me coronavirus mbetet në ajër deri në 3 orë. Dritaret dhe dyert duhen mbajtur hapur të qarkullojë ajri kur jeni në një ambient me persona që nuk janë të familjes tuaj.

CDC dhe të gjithë mjekët në SHBA i kërkojnë publikut: Mos përdorni maska mjekësore! Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. Ka mungesa të mëdha. Nëse njerëzit kërkojnë dhe blejnë maska mjekësore, mund të dalin edhe abuzues që do t’i vjedhin nga spitalet duke paguar funksionarë të korruptuar. Për mjekët që punojnë me pacientë COVID-19, shpesh është luks të kenë maskë me filtër FFP2 (quhet edhe N95) ose FFP3. Ndërsa këto maska i gjen në popull sepse u blenë në farmaci dhe dyqanet e materialeve të ndërtimit sapo u hap paniku i epidemisë para se epidemia të fillonte.

Personeli mjekësor ka nevoje t’i hedhë të gjitha mjetet mbrojtëse kur mbaron turnin dhe del nga salla e izolimit COVID-19, sepse aty ndotja me virus është shumë e lartë. Për mungesë maskash me filtër, në spitalet amerikane, përdorin të njëjtën maskë edhe për një javë. Mjetet e mbrojtjes shpesh mungojnë për personelin mjekësor në të gjitha vendet e botes dhe ata infektohen, sëmuren. Ja disa detaje:

Rasti i këtyre ditëve i një infermieri të Shërbimit Shëndetësor Publik Britanik NHS (nga më të mirët e botës), i sëmurë me shenja Covid-19, nuk i bëjnë testin e tamponit për mungesë; e izolojnë në një dhomë në shtëpinë e tij. Gjendja e tij keqësohet: nuk mbushet dot me frymë. Familjarët bëjnë 4 telefonata në kohë ndërsa gjendja përkeqësohej, kërkojnë shtrim në spital; i refuzohet. Familjarët nuk e kuptojnë pse; mendojnë meqë spitalet nuk kanë vende. Më 7 prill vdes në shtëpi me shenja COVID-19, i patestuar me tampon, i pandihmuar nga Shërbimi Shëndetësor pjesë e të cilit ishte vet ai.

Mjekët në Britaninë e Madhe kërkojnë të testohen, sepse herë pas here, kanë kolegë që sëmuren. Duan të dinë cili prej tyre është i infektuar dhe nuk paraqet shenja sëmundjeje – është mbartës i shëndoshë për vete, por infektues për të tjerët dhe infekton kolegët kur janë afër njëri-tjetrit pa mjetet e mbrojtjes jashtë sallës së izolimit Covid-19. Me gjithë premtimet e përditshme, akoma mungojnë testet tamponë. Nuk gjenden në tregjet botërore sepse ka shumë kërkesa për ato. Prandaj, testet nuk duhet të lejohet t’i blejë privati sepse ai do t’ia heqë ato Organizmit të Shëndetit Publik dhe mund t’i përdorë ato për njerëz që shpesh testohen vetëm për ankth dhe jo sepse duhet të testohen sipas kritereve strategjike.

E njëjta gjendje mungese testesh është në Itali. Jam në chat me kolegë, të gjithë duan të jenë të testuar sepse rastisin të vijnë në kontakt me pacientë të dyshuar për COVIDd-19.

Në Itali, deri tani që shkruaj, janë 94 mjekë të vdekur nga COVID-19 të infektuar duke kryer detyrën e tyre në shërbim të pacientëve. Lista me emrat te web siti i urdhrit të mjekut (fnomceo). Përveç këtyre janë edhe 26 infermierë të vdekur, të rënë në detyrë. Personeli mjekësor i infektuar është mbi 12 mijë. Nuk është i testuar mirë personeli mjekësor dhe mendohet që janë akoma më shumë të infektuar.

Lajmet e përditshme në SHBA, fillojnë duke folur për spitalet që trajtojnë COVID-19: “dire shortages in the frontline” – mungesa të tmerrshme të mjeteve mbrojtëse, të testeve tamponë dhe të ilaçeve që përdoren në terapi intensive. Shpesh shoh në lajme personelin mjekësor në New York, që del në protesta para spitaleve – kërkojnë mjetet mbrojtëse.

I përsëris lutjen publikut: mos blini maskat mjekësore, ato i duhen personelit tonë mjekësor që vë jetën në rrezik duke u përpjekur të shpëtojë jetët e të sëmurëve COVID-19. Ky personel mjekësor po të sëmuret është i pazëvendësueshëm, sepse atë punë që dinë të bëjnë ata, nuk di ta bëjë çdo mjek ose infermier edhe i të njëjtit specialitet. Në trajtimin e COVID-19 ata kanë dije dhe aftësi të specializuara – terapi respiratore mjaft delikate.

Në Itali, në Lombardi, spitalet e mbushur plot për një periudhe, një pjesë të pacientëve Covid-19 që ishin në gjendje më të mirë, i kaluan në klinika private (RSA quhen), por aty ata vdisnin. Prokuroria po heton. U tha në lajme që privati kursen edhe nuk trajnon personelin.

Jam i shqetësuar për policët dhe ushtarët tanë që janë në krye të detyrës, në kontakt me njerëz që edhe mund të jenë të infektuar. Janë në rrezik. Çdo ditë në lajmet amerikane përmenden policë që kanë vdekur. Herën e fundit, para 10 ditësh, dëgjova shifrën 800 policë të testuar pozitiv me coronavirus në New York. Nuk e di sa janë sot. Edhe në Itali ka policë dhe karabinierë që kanë vdekur, të infektuar në krye të detyrës. Ka vdekur me Covid-19 edhe një polic i truprojës së kryeministrit Konte.

Policët tanë duhet të mbulojnë mirë gojën dhe hundën me maskë, të mbajnë edhe syze; por e domosdoshme për policet dhe ushtarët të mbajnë distancën mbi 2 metra nga qytetaret që kontrollojnë dhe nga njëri-tjetri. Kur janë në makinë bashkë, xhamat duhet të jenë të gjithë të hapur që të qarkulloje ajri vazhdimisht. Nuk dihet kush mund ta ketë infeksionin dhe ia kalon pa e ditur shokëve kolegë.

Në qytetin italian Bergamo, ka shumë të sëmurë COVID-19 nga personeli i agjencive funerale. Një agjenci u mbyll, sepse të gjithë të sëmurë. Punonjësit e agjencive funerale (ata që akoma janë në punë dhe nuk kanë bërë testim, nuk e dinë a janë të infektuar) që flenë në punë, në zyra, nuk kthehen në shtëpi, sepse kanë frikë mos infektojnë familjarët. Këtë e bën edhe personeli mjekësor që punon me COVID-19,mundohen të gjejnë ku te flenë, mos të shkojnë në familje.

Chris Cuomo 49 vjeç, gazetar i CNN dhe vëlla i guvernatorit të New Yorkut, që nga fundi i marsit është në shtëpi i sëmurë. Ai, në YouTube tregon se si i merret fryma dhe sa ndjenjë e keqe është. Gazetarët intervistat duhet t’i bëjnë vetëm në ambient të hapur dhe në distancë të bollshme mbi 2 metra nga i intervistuari, me mikrofonin të vendosur mbi një shufër ose çdo lloj shkopi. Të mbrohen! Dhe, po ashtu të japin shembull publikut si mbahet distanca.

RRINI NE SHTEPI! Kjo është mbrojtja kryesore. Kush e ka të nevojshme të dalë për të blerë ushqime, mbajeni distancën, mbani maskën artizanale mbi gojë, hundë dhe me syze. Kush është i moshuar, të mos dalë fare nga shtëpia! Poashtu, kush është në kurim me ilaçe (hipertension, zemër, diabet, etj), të mos dalë nga shtëpia! Janë në rrezik të madh!

Nuk dihet kush mund ta ketë infeksionin. Nuk dihet sa janë mbartësit e shëndoshë, ata që kanë coronavirusin në mushkëri, por që nuk janë të sëmurë. Disa studime sugjerojnë se mund të jenë gjysma e të infektuarve. Këta takojnë njerëz dhe infektojnë të tjerët pa e ditur.

Në Britaninë e Madhe thuhet “Stay at home and save lives” – rri në shtëpi dhe shpëto jetë. Kur nuk del nga shtëpia, je i sigurt. Nuk infektohesh vet, nuk infekton të tjerët, mbron jetën tënde, familjarë dhe, po ashtu, njerëzve të cilëve rastësisht mund t’u afrohesh në rruge ose dyqane. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori