Byung nuk po fliste me askënd, ishte i koncentruar për të parë lëvizjet që po bënte në fushë koreani Park.
Komunikimi me bashkëlojtarët mungonte edhe nga Park, që nisi nga fillimi ndeshjen e fituar nga Prishtina, 1:0. Për Parkun, kjo ishte ndeshje debutuese me fanellën kaltër e bardhë.
Pas një ore lojë, momenti për debutim i erdhi edhe Byungut. Dhe vetëm tre minuta më vonë, ai u shndërrua në protagonist, meqë falë asistimit të tij, Shend Kelmendi shënoi golin që pati vlerën e tri pikëve për Prishtinën.
Park e Byung vetëm kur u bënë bashkë, për të festuar golin, komunikuan mes vete. Park luante në pozitën e mesfushorit të qendrës, kurse Byung në anën e djathtë.
“Jam shumë i lumtur që debutova për Prishtinën”, tha Byung.
Byung dinte fare pak anglisht, kurse Park nuk kuptonte asgjë. Byung mundohej të kryente edhe punën e përkthyesit.
“Edhe unë jam i lumtur”, tha Park buzagaz.
Të dy koreanët në Prishtinë kanë ardhur para një muaji. Por, thonë se shumë shpejt janë ambientuar në Prishtinë. U pëlqen qyteti, ushqimi dhe njerëzit.
Pos kësaj, presin të dëshmohen edhe për atë çfarë kanë ardhur.
“Në Prishtinë jemi pritur shumë mirë si nga qytetarët ashtu edhe nga bashkëlojtarët, trajneri dhe kryesia. Të gjithë na respektojnë. Po kalojmë momente të mira”, thotë Byung.
Trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi, e kishte të vështirë t’u jepte instruksione se si të pozicionoheshin në fushë. Ai mundohej që në gjuhën angleze t’u shpjegonte. Në disa raste edhe me duar mundohej t’ua tregonte vendet ku duhet të qëndronin. Njëjtë vepronin edhe bashkëlojtarët e Prishtinës. Komunikimi bëhej me duar, kurse më së shpeshti u drejtoheshin me fjalën “hej”.
Ramiz Krasniqi kështu i vlerëson
Trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi u nda i kënaqur me lojën që treguan dy koreanët.
“Konkurrenca është rritur në Prishtinë, pasi dy koreanët treguan lojë të bukur”, tha Krasniqi.
Me dy koreanët u ndanë të kënaqur edhe të pranishmit në stadium, të cilët në disa raste edhe i duartrokitën për aksionet që krijonin.
Të dy koreanët në fund të ndeshjes u përqafuan dhe të pandarë u drejtuan nga zhveshtoret.
“Të dy rrimë bashkë. Ia kalojmë shumë mirë. Kemi krijuar miqësi edhe me të tjerët. Po kemi trajtim të mirë në Prishtinë. I falënderojmë të gjithë”, thotë Byung.
Performanca e tyre ra edhe në sytë e drejtuesve të skuadrës.
Kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, në fund të ndeshjes iu drejtua trajnerit Krasniqi, për ta pyetur pse nuk i ka inkuadruar më herët ata dhe mori përgjigjën.
“Kam thënë se kur do t’u vijë rasti do t’i shikoni. Dhe, ja që i shikuat sot. U erdh rasti”, ia ktheu Krasniqi.
Me fitoren e së mërkurës Prishtina është ngjitur në pozitën e gjashtë me shtatë pikë, ndërkohë Vushtrria është e teta me pesë pikë. /Koha Ditore/