Rikthehen preferencat tregtare me BE-në

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë informoi se të enjten në Parlamentin Evropian është aprovuar vazhdimi i masës preferenciale tregtare për Kosovën, me efekt retroaktiv prej janarit të vitit 2011, ashtu siç ka paralajmëruar disa herë deri më tani. “Me këtë hap po i rikthehet e drejta prodhuesit kosovar për të eksportuar në vendet e Bashkimit Evropian pa ngarkesa doganore. Dhe duke marrë parasysh që efekti i kësaj mase është retroaktiv, të gjitha ato kompani të cilat kanë eksportuar në vendet e BE-së në ndërkohë kanë mundësinë që përmes importuesve nga ato vende të bëjnë rimbursimin e fondeve të cilat i kanë paguar për taksën doganore”, tha ministrja Kusari-Lila.
Sipas saj, brenda disa javëve do të bëhet funksionalizimi i kësaj mase, pasi që vendimi i Parlamentit Evropian, do t’i kalojë Këshillit të Ministrave, ku do të zyrtarizohet ky vendim me efekt retroaktiv.
Në aspektin e vlerësimit të Raportit të Progresit, ministrja Mimoza Kusari-Lila tha se MTI është vlerësuar në gjithsej 10 fusha, ku në tetë prej këtyre fushave është shënuar progres relativisht i mirë. “Progres të limituar kemi pasur në fushën e standardizimit, ndërsa në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, në aspektin ligjor nuk është shënuar asnjë përparim thekson raporti i progresit të Komisionit Evropian. Në tetë fusha tjera duke përfshirë këtu vlerësimin e konformitetit, akreditimin, metrologjinë, mbikëqyrjen e tregut, kornizën legjislative, në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, të drejtën e kompanive, aspektet legjislative të drejtës pronësore, të industrisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është shënuar progres”, bëri të ditur ministrja Mimoza Kusari–Lila.
Ajo ka shtuar se me gjithë progresin, sfidat janë të shumta dhe se MTI-ja është e bindur se do të vazhdojë punën për t’i adresuar këto sfida edhe pse në disa prej vlerësimeve të evidentuara se kanë shënuar progres, nuk janë theksuar të gjitha hapat e ndërmarrë në drejtim të këtyre sfidave. /Telegrafi/



















































