Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Besnik Kada, tha për Telegrafin se trendi pozitiv i remitencave ka vazhduar edhe në tremujorin e dytë të vitit. “Bazuar në statistikat zyrtare, remitancat në tremujorin e dytë të këtij viti arritën vlerën prej 122.9 milionë euro, vlerë kjo përgjithësisht e pandryshueshme me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, shprehet ai.

Por, sipas Kadës, nëse krahasohet pjesa e parë e vitit me 2010 ka një rritje prej 1.2 për qind.“Nëse shikojmë totalin e gjysmëvitit, për periudhën janar- qershor 2011, remitancat kapin shumën prej 234.2 milionë euro, rritje e lehtë prej 1.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010”, ka thënë zëdhënësi Kada.


Ai ka treguar se me dërgimin e remitencave prijnë diaspora e cila jeton në Gjermani dhe Zvicra.

“Duke pasur parasysh periudhën e njëjtë krahasuese, vërejmë se nga Gjermania dhe Zvicra vijnë më shumë se gjysma e remitancave - 32.7 për qind, respektivisht 23.3 për qind e totalit”, ka treguar Kada. /Telegrafi/