Përballja e Shqipërisë me krizën e refugjatëve duket më e afërt. Refugjatët sirianë të srehuar në kampin Kacikas të Janinës kërkojnë të kalojnë në Kakavijë. Ata janë ngritur në protestë kundër kushteve të këqija në këtë kamp.
Gjatë protestës ata kërkuan të largohen drejt Shqipërisë, për të kaluar më pas në Itali, përmes Adriatikut.
Pranë kufirit shqiptar gjenden qindra refugjatë të zhvendosur nga porti i Pireut. Një pjesë e tyre është vendosur në Konicë.
Në një reportazh të pak ditëve më parë të Televizionit Publik të Belgjikës, ata shpreheshin se shohi si rrugë të vetme kalimin në vendet e BE përmes Shqipërisë.
Maqedonia e ka mbyllur kufirin
Autoritetet shqiptare kanë pranuar se po punojnë ngushtësisht me autoritetet italiane. Disa oficerë të policisë italiane të kufirit gjenden tashmë në Shqipëri.
Qeveria shqiptare nuk pranon t’i hapë kufijtë. Ajo kërkon nga Brukseli një plan se si do të trajtohet situata në rast se refugjatët sirianë hyjnë në territorin tonë.
Brukseli deri tani nuk ka një plan të detajuar. Së paku asgjë nuk është bërë publike.
Tirana zyrtare ka pranuar se mund të strehojë rreth 2 mijë refugjatë. Për fatin e tyre të mëtejshëm do të duhet të vendoset në koordinim me Komisionin Europian.
Deri atëherë, në kufirin me Shqipërinë do të kenë mbërritur më tepër refugjatë që vijnë çdo ditë në Greqi përmes Turqisë.
Ankaraja arriti një marrëveshje me BE –në. Sipas saj, të gjithë emigrantët që vijnë në Greqi nga Turqia, duke filluar nga 20 marsi, do të kthehen pas. Për çdo emigrant të kthyer pas, BE do të pranojë një refugjat sirian, që do të shpërndahet sipas kuotave në vendet anëtare.
Në Turqi aktualisht numërohen 2.7 milionë sirianë që kanë ikur nga lufta. /Lapsi.al/