Site icon Telegrafi

Reformat dëmtojnë seriozisht injorancën!

Universiteti i Prishtinës ka kohë që është dashur t’u nënshtrohet reformave. Madje, jemi vonuar shumë në këtë aspekt, meqë disa “mendje të ndritura” të shoqërisë sonë e shohin sistemin arsimor aq të zhvilluar. Mendësi të tilla që dalin e hyjnë nëpër Universitetin e Prishtinës, duke u integruar edhe në strukturat udhëheqëse, bëjnë që cilësia e studimeve të bie çdo vit e më shumë. E, bashkë me cilësinë po bie edhe vlera e këtij universiteti.

Arrestime për falsifikime diplomash, regjistrime pa provim pranues, akuza për shitblerje notash… kanë bërë që institucioni në të cilin për vite me radhë është ligjëruar për norma dhe ligje, të bëhet “kampion” në shkeljen e tyre. Në këtë universitet tërë këto vite jo që nuk janë zbatuar, por edhe janë shkelur të gjitha normat ligjore.

Është hera e parë që avazi i vjetër po merr një kah tjetër. Për herë të parë, përmes këtyre reformave titulli akademik po synohet të arrihet mbi baza ligjore e jo për shkak të interesave e preferencave personale. Edhe ashtu, në vendin tonë ka pak njerëz që punojnë në harmoni të plotë më ligjet, kurse të vetmin njeri që po tenton ta bëjë një gjë të tillë, po ia mbyllim dyert duke mos e lejuar të depërtojë brenda.

“Siç është arsimi sot, ashtu është kombi nesër”. Bazuar në këtë thënie, po ta shikojmë sistemin politik e ekonomik të vendit tonë, do ta kuptojmë më së miri se në ç’gjendje është sistemi arsimor e veçmas ai universitar. Po të investonim në këtë të fundit do të “godisnim dy zogj me një gjuajtje”. E, kjo ngase një sistem i mirë arsimor, mbase jo me efekt të menjëhershëm, do të thotë të ardhura më të larta, stabilitet politik, ekonomik dhe mirëqenie më e lartë për të gjithë. Në një sistem që nuk funksionon mirë, reformat jo që duhet kundërshtuar, por duhet pranuar krahëhapur ngase janë hapi i parë dhe më efikas drejt sigurimit, ruajtjes dhe forcimit të kësaj cilësie.

Bazuar në ligje dhe rregullore që nga viti 2002, Universiteti i Prishtinës funksionon në harmoni me sistemin e Bolonjës. Por, kur bëhet fjalë për praktikën, ky universitet është akoma larg këtij sistemi. Ende nuk jemi integruar në të e për konkurrencë me universitetet prestigjioze të Evropës as që bëhet fjalë. Po deshëm të konkurrojmë me to, duhet të ndjekim rrugët që ato kanë ndjekur. E, rruga më e mirë janë pikërisht këto reforma të cilat përpos se janë në harmoni të plotë më këtë sistem, u sigurojnë kuadrove pozitë të barabartë në tregun e punës. Tekefundit, kjo është dëshmuar në vendet tjera, pse të mos dëshmohen edhe tek ne.

Nga ajo që u tha shihet shumë qartë se nuk e kemi luksin të eksperimentojmë me institucionin kryesor të dijes në vendin tonë. Çdo investim cilësor në të do të thotë investim në vetveten. Është koha e fundit që udhëheqësia e këtij universiteti dhe Ministria e Arsimit të punojnë në jetësimin e rregulloreve të mbetura vetëm në letër. Assesi nuk duhet të lejojmë që Universiteti i Prishtinës të bëhet pre e pazarllëqeve të të gjithë atyre që duan diploma pa cilësi dhe dituri pa njohuri. Çdo heshtje përballë gjendjes ekzistuese na bënë bashkëpjesëmarrës në të.

 

Exit mobile version