Site icon Telegrafi

Reagon Hyseni: Nuk jam kandidat për kryeministër, LDK vendos pasi ta merr mandatin

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni ka reaguar pas disa lajmeve që ai është kandidat për kryeministër.

Hyseni ka pohuar se në organet e partisë nuk është diskutuar asnjëherë për këtë çështje, transmeton Telegrafi.

“Nuk jam unë kandidat! Pra, janë spekulime dhe asgjë më shumë, e të cilat vijnë nga qarqe të caktuara që për synim të vetëm kanë krijimin e hutisë dhe konfuzionit. Lidhja Demokratike e Kosovës është parti shumë serioze dhe rrjedhimisht çdo veprim i saj në këtë drejtim do të bëhet rigorzisht në pajtim me procedurat kushtetuese”, ka shkruar Hyseni.

Lexo po ashtu LDK thotë se Skender Hyseni nuk është propozuar si kandidat për kryeministër

Reagimi i plotë: 

Të nderuar miq dhe qytetarë,

Duke respektuar pafundësisht lirinë e medias, parim ky të cilin unë e kam të shenjtë, jam i detyruar që të shpreh indinjatën time me spekulimet e sotme qe kanë lakuar emrin tim si kandidat i LDK-së për Kryeministër. Interesimit të shumë gazetarëve sot po u përgjigjem përnjëherë! Kjo çështje nuk është shtruar asnjëherë në organet e partisë. Nuk jam unë kandidat! Pra, janë spekulime dhe asgjë më shumë, e të cilat vijnë nga qarqe të caktuara që për synim të vetëm kanë krijimin e hutisë dhe konfuzionit.

Lidhja Demokratike e Kosovës është parti shumë serioze dhe rrjedhimisht çdo veprim i saj në këtë drejtim do të bëhet rigorzisht në pajtim me procedurat kushtetuese.

Pra, ashtu siç ka konstatuar Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, pas votimit të KP-së: ” Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”

LDK do të vendos për kandidatin, vetëm pasi të ketë marrë mandatin për të krijuar qeverinë duke respektuar procedurat kushtetuese. Deri atëherë, të gjitha pra, janë spekulime”./Telegrafi/

Exit mobile version