Lewis Hamilton ka arritur ta barazojë rekordin e legjendarit Michael Schumacher me fitoren e arritur në Nurburgring të Gjermanisë në garën për Çmimin e Madh të Eifel.
Kjo ishte fitorja e 91-të e britanikut, aq sa ka regjistruar edhe legjenda gjermane gjatë karrierës së tij.
Për ta shënuar këtë sukses të 35-vjeçarit, djali i Michael, Mick Schumacher, ia ka dhuruar një helmetë të babait të tij nga sezoni i tij i fundit me Mercedesin në vitin 2012.
“Nuk di çfarë të them. Kur rritesh duke e shikuar dikë dhe duke e bërë idhull, të vërtetë, për cilësinë e pilotit që është dhe për atë që është në gjendje në vazhdimësi të bëjë si pilot me ekipin e tij javë pas jave”.
“Duke shikuar dominimin e tij për aq shumë kohë dhe nuk mendoj se dikush – sidomos unë- të ketë menduar se do të mund t’i afrohemi këtij rekordi”.
“Është një nder i jashtëzakonshëm, por nuk do t’ia arrija pa këtë ekip të mrekullueshëm. Një falënderim i madh dhe respekt madhor për Michael”, ka thënë Hamilton me rastin e kësaj arritjeje. /Telegrafi/