As parregullsitë në aspektin makinerik, as sistemi i drejtimit të automjetit e as problemet e sistemit të frenimit sipas ekspertit nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore Damjan Mirçevski nuk kanë çuar në aksidentimin e autobusit të “Durmo Tours”, që mori jetën e 16 personave ndërsa mbi 30 vetë mbetën të lënduar rëndë. Familjarët e të akuzuarve dhe prokurori më herët kishin paralajmëruar që përmes kësaj ekspertize tentohet të zhveshën nga përgjegjësia të gjithë të akuzuarit, duke thënë se autobusi ka qenë i rregullt dhe askush nuk ka faj pos shoferit. Për këtë arsye, thuajse të gjitha pyetjet e avokatit të pronarit të “Durmo Tours”, Durmish Belulit, drejtuar ekspertit Mirçevski ishin për t’u konstatuar se autobusi dhe asgjë rreth tij nuk ka ndikuar në aksidentin fatal.
“Nuk pajtohem se e vetmja mundësi që të parandalohej aksidenti është “Frenimi para përplasjes” ose siç mund ta quajmë frenim i menjëhershëm, pasi ekipi ynë nuk erdhi në konkluzion se sistemi i drejtimit të automjetit ka pasur problem. Me sistem të rregullt të automjetit mundet që të drejtohet automjeti në mënyrë të rregullt”, tha Damjan Mirçevski, ekspert nga Byroja për Ekspertiza Gjyqësore.
Më herët ekspertët kishin deklaruar se sistemi i frenimit i këtij autobusi nuk ka qenë plotësisht i rregullt, por sot duke u përgjigjur në pyetjen në qoftë se sistemi i frenimit ka ndikuar në rrjedhën e aksidentit, eksperti Mirçevski tha se “nuk ka kontribuuar”. Përveç kësaj, prokurori Darko Jakimovski tha se autobusi i aksidentuar ka qarkulluar 16 ditë pa regjistrim.
“Ju thatë se nuk e shihni problematike se autobusi ka vozitur 16 ditë pa regjistrim, sipas meje, kjo flet për transportuesin karshi obligimeve që i ka ndaj komunikacionit, a pajtoheni me mua?”, u shpreh Darko Jakimovski, prokuror.
Eksperti Mirçevski nuk deshi fare ta komentojë këtë pjesë, tha se ata nuk kanë bërë revizion të mënyrës së punës së transportuesit dhe s’janë inspektorë për të kontrolluar firmën. Ai madje duke ju përgjigjur pyetjes së gjykatës, tha se “me siguri mund të themi se arsyeja e aksidentit nuk del nga parregullsia e autobusit, gjegjësisht aspekti makinerik”.
Sot në seancë u tha se përfaqësues të Qeverisë kishin kërkuar nga Gjykata që të jep sqarime për superekspertizën, por ata nuk janë përgjigjur pasi që siç thanë, Qeveria nuk ka të drejtë të përzihet në punën e gjyqësorit. Aksidenti ka ndodhur në vitin 2019 ndërsa rasti assesi të merr epilog gjyqësor.
Familjarët e viktimave për “Alsat” thanë se kanë frikë që procesi gjyqësor shkon në atë drejtim që t’i zhveshë nga faji të gjithë pos shoferit të autobusit. /Alsat/