LAJMI I FUNDIT:

Rashiq: Sindikata nuk mund t’i kthej pensionet

Rashiq: Sindikata nuk mund t’i kthej pensionet

Pas shkrimeve në medie dhe pas vërejtjes së radhëve të gjata në pritje të pensionistëve para zyrave të Sindikatave të Pensionistëve në nivel vendi duke dorëzuar dokumentacion në këto zyre, gjoja për të siguruar pensionin për kontributet e tyre pensionale para vitit 1999, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, ka thënë se organizatat sindikale të pensionistëve nuk janë të autorizuara për të pranuar kurrfarë dokumentacioni për pensionet e pensionistëve që kanë paguar kontribute para vitit 1999.

“Organi i vetëm kompetent në Kosovë për t’u marrë me këtë çështje dhe për të vënë kontakt me organet gjegjëse, në këtë rast të Republikës së Serbisë, është Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”.

MPMS-ja me vëmendje dhe përkushtim është duke përcjell ecurinë e zhvillimeve që po ndërmerr Serbia për këtë çështje dhe në momentin që krijohen kushtet e favorshme përmes kanaleve zyrtare do të ndërmerren hapat e nevojshëm. Për të gjitha veprimet konkrete që MPMS do të ndërmerr për këtë qëllim opinioni do të njoftohet me kohë.

“Sqaroj gjithashtu pensionistët se Gjykata e Strasburgut merr në konsideratë vetëm ato kërkesa kur vërtetohet se parashtruesi i kërkesës ka shtjerr të gjitha procedurat juridike në vendin e vet”.

Sa u përket dyshimeve se parashtruesit e kërkesave-pensionistët për të dorëzuar dokumentacionin në sindikatat e pensionistëve kanë paguar para, ai ka thënë se do të ketë hetime. “U bëjë apel organeve kompetente që të shqyrtojnë se a ka pasur raste të këtilla, që janë abuzive, dhe të ndërmarrin hapa konkret lidhur me këtë çështje”, thuhet në Sqarimin e ministrit Nenad Rashiq. /Telegrafi/