Milot Rashica është ndarë i kënaqur me fitoren e Kosovës ndaj Lituanisë, teksa ka folur edhe për të ardhmen e tij.
Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndaj Lituanisë në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Golat në këtë përballje për Dardanët u shënuan nga Arbër Zeneli (27’, 71’), Vedat Muriqi (63’) dhe Besar Halimi (79’).
Pas fitores ka folur Rashica, i cili ndihet i lumtur me paraqitjen e ekipit, ndërsa ka folur edhe për të ardhmen me klube.
“Kemi pasur disa mundësi në pjesën e parë, mirëpo topi ishte kundër nesh dhe nuk shkoi në rrjet. Megjithatë, jemi të lumtur që shënuam bashkë, pasi luajmë si ekip”, ka thënë fillimisht Rashica pas ndeshjes.
“Besoj që kemi luajtur një ndeshje më të mirë, nuk kemi kohë për festë, është një motivim i madh. Kemi një ndeshje të vështirë në vazhdim, ndeshja e sotme ishte vetëm test, do të dallojë shumë ndeshja e ardhshme”.
“Sa më shumë që të luajmë bashkë, aq më të mirë jemi. Kemi pasur një fazë ku nuk jemi lidhur mirë, por tani kemi pasur gjatë ndeshjes së sotme shumë raste e shumë kombinime. Jemi të lumtur që po krijojmë raste”.
“Është shumë herët të flasim për të ardhmen time, fokusimi im është i gjithi te Kosova dhe dy ndeshjet e ardhshme”, përfundoi vushtrriasi. /Telegrafi/