Nëpërmjet disa postimeve në Twitter, Rama ka njoftuar për takimin zhvilluar, mesditën e së dielës, me vendorët e Vlorës, ku është diskutuar rreth konkursit ndërkombëtar për planin e zhvillimit të qarkut dhe aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në bregdet.

“Në vijën bregdetare të Shqipërisë do të bëjmë çka bëmë me Lanën në Tiranë! Pas katër vjetësh, ndërtimi pa leje në breg do të jetë një ëndërr e keqe”, ka paralajmëruar kryeministri i ardhshëm i vendit, të gjithë ata që kanë guxuar të ndërtojnë apo planifikojnë të ndërtojnë gjatë vijës bregdetare.


“Mesazhi është i qartë”, thotë Rama. “Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet, duhet të ndalet, sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det”, raporton Top Channel.

Kjo vendosmëri e Edi Ramës që paralajmëron një furtunë mbi ndërtimet pa leje, është vijimi i deklaratave të bëra gjatë fushatës elektorale me banorët e Orikumit, ku ndërtimet pa leje dhe zënia e pronave janë çështje të nxehta për të gjithë zonën.

Gjatë takimit më 1qershor, nga Orikumi, Rama premtoi ngritjen e një Agjencie Kombëtare të Bregdetit dhe një ligj të posaçëm për vijën bregdetare.

“Vija bregdetare nuk mund të grabitet, të keqtrajtohet, të shkatërrohet, sepse është pasuria jonë e përbashkët. Do të bëjmë kujdes të posaçëm, do bashkëpunojmë për projekte të ndryshme, me qëllim zhvillimin e kësaj perle, që na e ka falur natyra”, ishte deklarata e Ramës. /Telegrafi/