Site icon Telegrafi

Rama: Nëse është tradhti të mendosh për paqen dhe zgjidhen përfundimtare të çështjes së Kosovës, po atëherë jam tradhtar

Foto: Telegrafi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas vizitës në Beograd ka folur për Open Balkan dhe kritikat në Kosovë por edhe në Shqipëri lidhur me këtë iniciativë.

Rama në një intervistë për Deutsche Welle thotë se është e rëndësishme që Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij.

DW: Z. Kryeministër kanë kaluar tre vjet qëkurse është hedhur ideja për Mini-Shengenin Ballkanik, tani “Open Balkan”. Si mendoni, a është ky një projekt që do mbijetojë, pasi është folur shumë për këtë?

Në pyetjen se duket sikur Rama po e tradhton Kosovën duke marrë pjesë në një proces me Serbinë, ai tha “Unë nuk dua të komentoj mbi këtë. Por, dua të them që nëse është tradhti të mendosh për të ardhmen, të mendosh për paqen, të mendosh për rritjen e bashkëpunimit dhe të ekonomisë, të mendosh për mirëqenien shoqërore dhe të mendosh edhe për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, po atëherë unë jam tradhtar, nuk diskutohet dhe tradhtar do të ngelem”.

Ndërkaq, i pyetur kryeministri Edi Rama se si mund të zgjidhet çështja përfundimtare bashkë me këtë proces, kur dihet se Serbia kohët e fundit bëri kërcënime me luftë, ai i përgjigj “Së pari të mos harrojmë asnjëherë që çështja e mosdakordësisë mes Serbisë dhe Kosovës – unë nuk e harroj asnjëherë këtë pasi është një çështje themelore dhe shumë e rëndësishme, që do të thotë se procesi në vetëvete është një proces i vështirë dhe nuk mund të jetë kurrsesi një proces i qetë vijimisht – do ketë edhe tensionet e veta.

Por, nga ana tjetër po të bëjmë një krahasim me të shkuarën sot vërtetë rriten tensionet, por edhe zgjidhja e atyre nyejve që krijojnë tension është shumë më e shpejtë, nëse e vini re. Pikërisht se është kjo çështje në mes, unë mendoj se Ballkani i hapur është edhe më i rëndësishëm, sepse është kontributor i drejtpërdrejt për të krijuar energji pozitive dhe për ta lehtësuar procesin e konfrontimit në çështjen themelore duke i dhënë mundësi palëve të komunikojnë në një atmosferë më pozitive”.

Nëse Kosova do të ishte e pranishme do të kishte mundësi që në radhë të parë, duke u përfshirë në këtë nismë, të rriste kapacitetet e veta ekonomike, të fuqizonte imazhin e vet si një hapësirë ku mund të investohet për investitorët e huaj, të krijonte garanci për të gjithë ata që investojnë dhe që do të investonin në Kosovë, qofshin shqiptar, qofshin të huaj dhe kështu të merrte disa benifite të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike, ndërkohë që në procesin e dialogut të vazhdonte të mbante qëndrimet e veta që nuk diskutohen dhe të arrinte synimin e vet. Por, që nuk ekziston në histori, siҫ e njoh unë, që një zgjidhje konflikti të ketë pasur sukses duke mos përdorur të gjitha mjetet e nevojshme dhe duke mos përfshirë këtu domosdoshmërinë e vendosjes së interesit të qytetarëve si njerëz, si familjarë, si prindër, prodhues, tregtar, si konsumator, kjo është e sigurt”.

 

Exit mobile version