Site icon Telegrafi

Radaci me shpellën e re, destinacion turistik për “Ditën e Evropës”

Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës kanë shfrytëzuar pushimin e zgjatur të këtij vikendi nga pushimi i Ditës së Evropës për t’u relaksuar në disa prej vendeve turistike me natyrë të bukur.

Prej shumë vitesh, Radaci i Pejës është një nga lokacionet më të preferuara turistike të vendit. Burimi i Drinit të Bardhë, që rrjedhë nga malet rrëzë këtij fshati, krijon pa dyshim një nga pamjet më të bukura natyrore në Kosovë, raporton KTV.

Një shëtitore e gjatë përgjatë rrjedhës së Drinit të Bardhë mundëson të ecësh ndanë shtratit të lumit të paktën në 500 metrat e para të tij.

Vizitorët janë kryesisht nga trevat e Dukagjinit, por ka edhe nga ata që vijnë nga vende më të largëta për të kaluar ndonjë pasdite mes kësaj natyre të egër.

Që prej dy javësh ka dhe një arsye më shumë për të vizituar këtë vend, pasi që Shpella e Radacit që të paktën nga banorët e rrethinës dhe speleologët njihej prej vitesh, tani është bërë e qasshme edhe për vizitorë.

Për një biletë që kushton 2 euro për të rriturit dhe 1 euro për fëmijët, mund të vizitoni rreth 300 metra nga mbi 800 sa ka ajo.

Fare pranë hyrjes për vizitorë shpella ka dhe një hyrje tjetër, e cila hë për hë nuk është e hapur për t’u vizituar, pasi që në atë pjesë janë gjetur mbetje arkeologjike që dëshmojnë se shpella ka qenë e banuar që nga neoliti.

Exit mobile version