LAJMI I FUNDIT:

Qyteti ukrainas në të cilin po zhvillohet beteja më e përgjakshme, aty ku rusët i hedhin ushtarët e tyre si “mish për top”

Qyteti ukrainas në të cilin po zhvillohet beteja më e përgjakshme, aty ku rusët i hedhin ushtarët e tyre si “mish për top”

Në nëntë muajt që kur Rusia nisi pushtimin e saj, Ukraina ka festuar fitore të mëdha, duke thyer rrethimin e kryeqytetit të saj Kiev, dhe duke i shtyrë forcat ruse nga rajoni i Kharkivit dhe qyteti port i Khersonit.

Por Bakhmuti në rajonin e Donbasit të Ukrainës, është kthyer në një vorbull shkatërruese për ushtritë e të dy vendeve, transmeton Telegrafi.


Prej muajsh po vazhdojnë betejat e përgjakshme, në të cilat vdesin qindra ushtarë nga të dyja palët. Rusët nuk dorëzohen e ukrainasit po luftojnë me të gjitha forcat për të mbajtur qytetin.

Të premten rreth mesditës, mjekët numëruan 50 të plagosur, shumë prej të cilëve ishin ushtarë. Një ditë më parë ishte edhe më keq: 240 njerëz kaluan nëpër dyert e spitalit me plagë që varionin nga plagët e armëve deri te plagët e copëzave dhe tronditjet, shkruan The New York Times.

Rezultatet janë katastrofike. Qyteti që dikur kishte rreth 70 mijë banorë u shkatërrua. Dhe tani, sipas banorëve dhe ushtarëve ukrainas, bombardimet në Bakhmut dhe përreth janë të një intensiteti të paparë. Vija e frontit, në periferi të qytetit, duket si një skenë nga Lufta e Parë Botërore.

Sipas ushtarëve, në ditët e fundit, Ukraina ka dërguar një mori përforcimesh në Bakhmut, duke përfshirë forca speciale dhe luftëtarë më pak të stërvitur për mbrojtjen territoriale.

Sulmet në qytet kryhen nga mercenarë të grupit Wagner, një organizatë famëkeqe paraushtarake me lidhje të drejtpërdrejta me Kremlinin. Por tani ata mbështeten nga një grup i ri i forcave ruse të ridislokuara nga fronti i Khersonit, thotë një zyrtar i mbrojtjes amerikane.

Pse rusët nuk heqin dorë nga Bakhmuti?

Në verë, pasi forcat ruse pushtuan provincën fqinje të Luhanskut, kapja e Bakhmutit mund të dukej si një përparim i natyrshëm në fushatën e Rusisë për të pushtuar lindjen – një hap drejt dy qyteteve më të rëndësishme, Slavyansk dhe Kramatorsk.

Por tani, thonë analistët, duke pasur parasysh degradimin e forcave ruse dhe mungesën e municioneve të tyre pas një sërë pengesash, ky synim duket i pamundur, veçanërisht pas humbjes së një terreni në verilindje.

“Ushtria ruse ende po merret me kërkesa joreale politike për të treguar përparim,” tha Michael Kofman, drejtor i studimeve ruse në C.N.A., një institut kërkimor në Arlington.

“Por duke pasur parasysh cilësinë e dobët të forcave të disponueshme dhe municionin e reduktuar të artilerisë, nuk ka gjasa që ato të jenë të suksesshme”, shtoi ai.

Me afrimin e dimrit dhe uljen e temperaturave, Bakhmuti ka evoluar shpejt në përpjekjen kryesore të Moskës, me masat e forcave të saj – duke përfshirë trupat e mobilizuara së fundmi – duke u përpjekur të rrethojnë qytetin nga lindja dhe jugu, raporton New York Times.

Strategjia e Rusisë në Bakhmut të kujton marrjen e qyteteve lindore të Severodonetskut dhe Lisichansk në qershor. Atje, trupat ruse u mbështetën në zjarrin dërrmues të artilerisë për të mposhtur forcat ukrainase.

Por forcave ukrainase me të cilat u përballën atëherë, u mungonin gjithashtu predha dhe artileri të furnizuara nga Perëndimi. Tani situata është ndryshe.

Humbje të mëdha nga të dyja palët

Ndërsa Bakhmuti po shndërrohet në një betejë rrënimi, rëndësia e saj strategjike gjithashtu ka ndryshuar. Edhe nëse shpresat e Rusisë për pushtimin e kësaj zone janë zvogëluar, kjo betejë mund të bëhet një “vrimë e zezë” për Ukrainën, në të cilën do të humbasë një numër të madh ushtarësh.

“Betejat si Bakhmuti shpërdorojnë forcat që mund të përdoren diku tjetër”, tha Kofman, duke shtuar se forcat ruse përdorin njerëz që ata i konsiderojnë “të shpenzueshëm”.

Forcat ukrainase që mbajnë Bakhmutin përbëhen nga një grup njësish, duke përfshirë Brigadën e 93-të të Mekanizuar dhe Brigadën e 58-të të Motorizuar të Këmbësorisë, njësi me përvojë që janë rraskapitur nga sulmet e vazhdueshme ruse.

Trupat e brigadave të tjera kanë mbërritur javëve të fundit për të mbyllur boshllëqet në linjat, dhe për të mbrojtur formacionet që “po vlojnë” nga humbjet e mëdha. Por megjithëse numri i ushtarëve ukrainas të plagosur dhe të vdekur është i lartë, rusët kanë humbje shumë më të mëdha, thonë ushtarët ukrainas.

“Rusët humbin nga 100 deri në 300 njerëz çdo ditë”

Sergiy Cherevatil, zëdhënësi i ushtrisë ukrainase në frontin lindor, përshkroi se si duken betejat për Bakhmutin.

“Komandantët rusë po i hedhin ushtarët si mish për top, për të zbuluar se ku janë pozicionet tona të qitjes”, tha ai për The Telegraph.

“Kur vala e parë është vrarë dhe forcat ukrainase përdorin municionin e tyre, atëherë ata sulmojnë përsëri”, shtoi ai

Julius Terehov, zëdhënës i Brigadës së Pavarur të 58-të të Këmbësorisë së Motorizuar të ushtrisë ukrainase në Bakhmut tha: “Është me të vërtetë si Lufta e Parë Botërore. Arat në disa vende ishin plot me rusë të vdekur pas sulmit”.

ISW: Kjo është mundësia e Prigozhinit

Analistët besojnë se Vladimir Putin është i etur për fitore pas një sërë ndryshimesh në fushëbetejë dhe Yevgeny Prigozhin, themeluesi i Wagner, po hedh gjithçka që mundet në qytet. Me gjithë përpjekjet e Prigozhinit, vija e përparme po lëviz ngadalë dhe pak.

Instituti për Studimin e Luftës, një institut me seli në Uashington, njoftoi se komentet e fundit të Prigozhinit sugjeronin se ai po përpiqej të zbusë pritshmëritë për ofensivën e tij.

Prigozhin, në fakt, tha se formacionet e grupit të Wagner nuk po përpiqen të kapin Bakhmutin, por në vend të kësaj të shterojnë forcat ukrainase.

Nëse pjesëtarët e Wagner arrijnë të pushtojnë Bakhmutin, Prigozhin shpreson të fitojë mbështetjen e pjesës radikale të opinionit dhe ushtrisë, të cilët kanë qenë prej kohësh të pakënaqur me disfatat ruse. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Sunak do të shpallë paketën më të madhe të ndihmës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën

Sunak do të shpallë paketën më të madhe të ndihmës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën

Botë
Ukrainasit pretendojnë se shkatërruan 314 tanke dhe autoblinda ruse gjatë betejës gjashtëmujore për Novomykhailivkan

Ukrainasit pretendojnë se shkatërruan 314 tanke dhe autoblinda ruse gjatë betejës gjashtëmujore për Novomykhailivkan

Evropa
Pamje të Dubait nga hapësira – ja si dukej, para dhe pas përmbytjeve

Pamje të Dubait nga hapësira – ja si dukej, para dhe pas përmbytjeve

Botë
Ministri i Jashtëm rus shpalos një nga planet kryesore të Putinit

Ministri i Jashtëm rus shpalos një nga planet kryesore të Putinit

Evropa
Turqia së shpejti do të vë në veprim sistemin

Turqia së shpejti do të vë në veprim sistemin "e diskutueshëm" rus të mbrojtjes S-400?

Turqia
Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të

Si Izraeli përdori dronët për të ngatërruar mbrojtjen ajrore iraniane përpara se të "gjuante raketat supersonike Rampage" - një sulm preciz që heshti Teheranin

Azia
Kalo në kategori