LAJMI I FUNDIT:

Qeveria në 2013 nuk llogarit në paratë e FMN-së

Qeveria në 2013 nuk llogarit në paratë e FMN-së

Regjistrimi i popullsisë nuk është marrë në konsideratë për buxhetin e vitit 2013. Derisa borxhi publik pritet të jetë rreth 80 milionë euro, nuk janë paraparë mjete për huazim nga FMN-ja, thotë ministri i Financave, Bedri Hmaza.

Ministri i i Financave pohon se kontrabanda në veri nuk është ndalur krejt, por që sipas tij, që nga 25 korriku është reduktuar shumë, e veçanërisht me derivatet e naftës.

Hamza ka thënë se regjistrimi i fundit i popullsisë nuk është marrë parasysh për buxhetin e vitit 2013, ngase sipas tij, mund të dëmtohen komunat, e veçanërisht kryeqytetit mund t’i kufizohen të hyrat.

“Ne nuk kemi marrë në konsideratë regjistrimin e fundit të popullsisë për buxhetin e vitit 2013, realisht ne po punojmë që ta gjejmë një zgjidhje që në momentin kur fillon të respektohet regjistrimi i fundit i popullsisë, disa komuna mos të kenë rënie drastike të të hyrave nga grantet. Komuna e cila mund të ketë zvogëlim të granteve si rezultat i regjistrimit të popullsisë është Komuna e Prishtinës. Prandaj, ne nuk dëshirojmë që kryeqytetin ta sjellim në një situatë që t’i rrezikohet funksionaliteti si rezultat i zvogëlimit të të hyrave”, ka thënë Hamza për Kosovapress.

Ai ka folur edhe për huan publike, duke thënë që është rritur në 2012. Ndërsa ka shpjeguar se në 2013 kanë planifikuar borxh publik vetëm 80 milionë euro.

“Me Ligj është i përcaktuar 40 për qind Bruto Produktit Vendor që Kosova mund ta ketë borxhin publik, mirëpo edhe për vitin 2013 kemi planifikuar borxh publik vetëm 80 milionë euro”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për të hyrat nga Dogana, ka pohuar se nëse bizneset shfrytëzojnë të drejtën e tyre në depo doganore, ndërron momenti i pagesës së tatimeve jo në kufi por në brendi dhe të paguhen pasi që mallrat e importuara apo prodhuara të shiten.

“Bizneset kanë të drejt në bazë të ligjit të shfrytëzojnë importin përmes depove doganore, disa prej tyre e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, t’i importojnë produktet, t’i vendosin në depo doganore dhe obligimet ndaj shtetit t’i kryejnë pasiqë t’i shesin produktet e tyre… Mirëpo kjo e drejtë duhet respektuar nga bizneset, nëse një biznes hap depo doganore, i shet mallrat dhe ka dallim mes gjendjes kontabël dhe asaj faktike, atëherë sigurisht që e humb të drejtën e shfrytëzimit të depos doganore”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rreth 215 milionë euro janë të ndara për autostradën “Ibrahim Rugova” gjatë vitit 2013, për kilometrat e mbetura.

Ndërsa duke përmendur Marrëveshjen e Kujdesit Paraprak me FMN-në, Hamza pohon se në buxhetin e vitit 2013 nuk kanë paraparë mjete për t’i huazuar nga FMN-ja.

“Ne për vitin 2013 nuk kemi paraparë mjete në buxhetin e Kosovës që do të vazhdojmë të huazojmë nga FMN-ja. Ky ka qenë kësti i fundit dhe pasi që më nuk është program disbursim, por është program i kujdesit paraprak, varësisht nga zhvillimet ai edhe do të trajtohet. Në një moment të caktuar e kemi pru gjendjen që Kosova do trajtohet si krejt vendet që nuk janë pjesë e programeve me FMN-në”, ka thënë ai.

Sa i përket deficitit, me gjithë parashikimet se do të jetë 3%, ai ka thënë se do të jetë më pak se 2 për qind deficit primar.

Ndërsa, për bilancin bankar thuhet se do të ketë rritje, edhe pse janë rritur shpenzimet por edhe të hyrat, sipas Hamzës do të ketë para më shumë. Më saktësisht do të jenë mbi 260 milionë euro bruto bilanc bankar, ndërsa në neto për shpërndarje do të jetë rreth 210 milionë më së paku. /Telegrafi/