Një qen i vogël i ka rrëshqitur pronarit nga dora dhe ka rënë në ujë në një kopsht zoologjik në provincën Jiangsu në pjesën lindore të Kinës, ku një muaj më parë në po të njëjtin vend punëtorët e këtij kopshti ushqenin tigrat me gomarë të gjallë.
Videoja rrëqethëse shfaq momentin kur dy tigra menjëherë afrohen tek uji dhe me padurim presin që ta kapin qenushin e vogël, të cilin në momentet e fundit e shpëtojnë punëtorët e kopshtit të cilët e nxjerrin nga uji me një rrjetë, transmeton Telegrafi.
Një muaj më parë një gomar i gjallë ishte hedhur në këto ujëra për të ushqyer tigrat, kurse videoja e këtij momenti ishte postuar në mediat sociale, dhe kishte shkaktuar zemërim tek miliona njerëz në mbarë botën.
Punëtorët e kopshtit zoologjik fillimisht kishin hedhur disa fishekzjarrë në drejtim të tigrave për t’i frikësuar, me qëllim që të fitojnë më shumë kohë për ta shpëtuar qenin e vogël. /Telegrafi/