Në mesin e atyre që janë dekoruar me “Medaljen Presidenciale të Meritave” për ata që - siç thuhet - “kanë kontribuar në fusha të veçanta si arsim, shkencë, kulturë, rini, sport, siguri, shërbim civil”, gjendet edhe Fadil Hysaj, profesor i Regjisë së Teatrit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ndaj këtij vendimi dhe këtij emri ka reaguar ish-punëtori i RTP-së, producenti Qemaj Sokoli, i cili në një letër dërguar presidentes së vendit thotë se profesori Fadil Hysaj nuk e ka të mbaruar Fakultetin e Regjisë.


E nderuara Kryetare, informata se ndër të shpërblyerit Tuaj është edhe ‘regjisori ynë i famshëm’ z. Fadil Hysaj, më ka nxitur që të ju shkruaj këtë letër të mbyllur.

Kryetare, me ndarjen e shpërblimit gjithsekushit, Ju po e zbehni institucionin Tuaj, dhe vet shpërblimin, andaj, keni kujdes se kujt po ia dedikoni atë.

Arsyeja e një reagimi të këtillë është se duke patur njerëz të tjerë më të merituar të kësaj fushe, Ju jeni përcaktuar që shpërblimin t`ia dhuroni z. Fadil Hysaj, i cili së pari nuk është regjisor profesional, dhe se kurrë nuk ka studiuar në ndonjë akademi, apo fakultet të artit të dramës ku mësohet regjia.

Ai e ka të mbaruar vetëm Letërsinë Komparative, pranë Fakultetit Filologjik në Sarajevë, dhe asgjë tjetër. Fundja, kërkoni kualifikimIn e tij.

Mirëpo, falë gjendshmërisë së tij kameleonike të politikës ditore, si në sistemin socialist, ashtu edhe në këtë demokratik, ai po noton mirë. Ashtu që, pos që ka bërë regjisura në teatër, ai është ‘emëruar’ edhe Profesor në Akademi, në shkallën e rregullt dhe në atë të magjistraturës!?

Si kryetare, në vend se t`i luftoni këto parregullsi, Ju me këtë gjest po i favorizoni ato dhe mediokritetet tjera.

Prandaj, Kryetare nëse nuk mund t`i ndihmoni, bile mos i nënçmoni profesionalistët”, thuhet në reagimin e tij.

Ndërkaq, përgjigja që ka marrë nga këshilltarja politike e Zyrës së Presidentes, Antigona Baxhaku-Idrizi, është kjo: “I nderuari z. Sokoli. Shpresoj që kjo letër të ju gjejë me shëndet dhe disponim të mirë! Besoj se ju i dini procedurat se si bëhet propozimi, por edhe përzgjedhja e kandidatëve të cilët dekorohen nga Presidentja e Republikës.

Megjithatë ,unë po ju përcjelli Ligjin për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Nëse përsëri do te keni ndonjë paqartësi, ju lutem na shkruani”. /Telegrafi/