Një Qershori e gjen Kosovën me një situatë tepër të rëndë në raport me gjendjen e shkollimit, me gjendjen sociale dhe atë që njihet si shfrytëzimi i punës së fëmijëve. Format e diskriminimit, shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të fëmijëve në Kosovë lidhen me dhunën fizike, atë psikike, format e skllavërimit përmes punës, dhe në një masë të konsiderueshme edhe me shfrytëzimin seksual.

Kështu vlerësoi lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media.

“Secila prej këtyre çështjeve lidhet me situatën ekonomike që ka Kosova dhe me shtetndërtimin. Trafikimi, shfrytëzimi seksual e i punës së fëmijëve është eksluzivitet i paaftësisë së institucioneve përgjegjëse, si Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe e Çështjeve Sociale. Përkundër ligjeve që ndalojnë punën e fëmijëve, që detyrojnë prindërit për t’u siguruar atyre zhvillim normal, që garantojnë arsim e jetë me dinjitet, qendrave sociale e shërbimeve për prind dhe fëmijë, përkundër policisë, prokurorisë, organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve, fëmijët që punojnë nuk janë aspak raste të izoluara”, vlerëson Vetëvendosje.

Sipas tyre, ky fenomen i cili nuk po adresohet me seriozitet dhe me urgjencën që e kërkon, nga agjentët shoqëror e qeveritar, është kthyer tashmë në zakonshmëri.

“Puna e fëmijëve që shesin cigare, mbledhin mbeturina, punojnë në shitore, bëjnë transporte të peshave të rënda, hapin kanale, spërkasin me mjete toksike, drejtojnë makina bujqësore, nxjerrin rërë dhe gurë, nuk bëhet më fshehtazi e nuk duket më si ilegale. Ajo zhvillohet çdo ditë para ruajtësve të rendit, punonjësve të qendrave sociale, prokurorëve, gjyqtarëve, arsimtarëve dhe qytetarëve”, thekson VV.

Kjo lëvizje thekson se shkalla e lartë e analfabetizmit, përveç gjendjes së rëndë të sistemit arsimor dhe infrastrukturës së munguar, shkak të shtuar ka padyshim punën e fëmijëve.

Sipas tyre, rreth 70.000 fëmijë në Kosovë jetojnë me 90 cent në ditë, e në shumë raste edhe më me pak.

“…Qeveria, si përgjegjësja kryesore për mizerien që kemi sot, i ka mundësitë që në vend të shpenzimeve për xhipa dhe mobilie zyrash, të ketë programe në çdo qytet të Kosovës për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi. Dita ndërkombëtare e fëmijëve është një ditë në të cilin qytetarët e një vendi do të duhej të ngrinin zërin për të drejtat dhe problemet me të cilat ballafaqohen fëmijët në Kosovë. Por, sot ne sërish po shohim në qendër të Prishtinës koncertin e zakonshëm argëtues ku një pjesë e fëmijëve me të drejtë argëtohen dhe përbri tyre bashkëmoshatarët vijnë rrotull me kutitë me gjësende për të shitur”, thekson ndër të tjera Vetëvendosje. /Telegrafi/