LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e PTK-së do të kthejnë bonuset me këste?

Punëtorët e PTK-së do të kthejnë bonuset me këste?

Kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi, është pajtuar që të ekzekutojë vendimin e bordit për kthimin prapa të parave që kanë marrë punëtorët e kësaj kompanie gjatë vitit që lamë pas në formë bonusi. Në fund të vitit që lamë pas menaxhmenti i PTK-së ka ndarë rreth 1 milion euro bonuse për punëtorët e këtyre dy njësive, duke i diskriminuar rreth 1000 punëtorë të Postës.

Vendimi për bonuset i kishte revoltuar këta të fundit, ku më pas Komisioni i Ministrave për Ndërmarrje Publike anuloi bonuset për punëtorët, me ç’rast iu kërkua Bordit të Drejtorëve ta zbatojë vendimin e Komisionit.

Para pak ditësh bordi e ka anuluar vendimin për ndarjen e bonuseve, ku ka autorizuar kryeshefin ekzekutiv, Ejup Qerimin, për kthimin e bonuseve, mirëpo ky i fundit ende nuk e ka zbatuar vendimin e Bordit.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se para pak ditësh ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka pasur një takim me kryetarin e bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, kryeshefin ekzekutiv, Ejup Qerimi, si dhe me përfaqësues të sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie. Sipas këtij burimi, ministri Beqaj ka kërkuar nga kreu i bordit Rexhë Gjonbalaj që të ekzekutohet vendimi për kthimin prapa të bonuseve, por shefi i bordit i ka bërë me dije ministrit se për një gjë të tillë përgjegjës është kryeshefi Ejup Qerimi që ka qenë prezent në atë takim.

“Gjatë takimit kryeshefi i PTK-së i është zotuar ministrit Beqaj se ai do të gjejë mundësinë për kthimin prapa të bonuseve të jashtëligjshme. Si mundësi ai ka propozuar që punëtoreve t’ua ndalë me rata paratë që ata kanë marrë në fund të vitit që lamë pas”, tha burimi i besueshëm i gazetës “Zëri”. Më tej burimi i gazetës thotë se gjatë gjithë takimit ministri Beqaj ka këmbëngulur dhe ka mbajtur qëndrimin e tij se dhënia e banueseve ka qenë ilegale, dhe, sipas tij, sa më shpejt që është e mundur ato para duhet të kthehen në llogarinë e PTK-së.

Po ashtu, zyrtarë të kësaj zyre nuk janë përgjigjur edhe në numrat e tyre zyrtarë gjatë gjithë ditës së mërkurë. /Telegrafi/