LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e krahut në “luftë” me ekzistencën

Punëtorët e krahut në “luftë” me ekzistencën

Ndonëse çdo ditë zgjohen herët, punëtorët e krahut në qytetin e Mitrovicës thonë se shumë vështirë sigurojnë kafshatën e gojës, ndërsa përveç problemeve të shumta, ata ankohen se “padronët” nuk po i paguajnë sa duhet dhe se çdo ditë e më shumë po u rritet konkurrenca.

S. T. është zgjuar në orën 6:00 të mëngjesit, me shpresë se do t’i fitojë nga 10 deri 15 euro nga puna që do të bëjë si punëtor krahu.

45 vjeçari nga Mitrovica, i cili çdo ditë del në qendër të qytetit për të siguruar kafshatën e gojës, rrëfen për Kosovapress se në çfarë situate ndodhet ai dhe shokët e tij.


Sipas tij, mund të ndodhë disa ditë të mos i marrë askush për të punuar.

“E sheh sot, ka shkuar gjysma e ditës dhe askush nuk më ka marrë për të punuar. Çfarë t’u dërgoj fëmijëve për të ngrënë”, rrëfen 45-vjeçari, i cili nuk preferon që t’i bëhet emri publik.

Ai përveç problemeve të shumta dhe ankesave se “padronët” nuk po i paguajnë sa duhet, ankohet edhe se çdo ditë e më shumë po u rritet konkurrenca.

“Nuk ka ditë që nuk shtohet ndonjë fytyrë e re”, ofshan ky 45 vjeçar, duke u ankuar në punën e institucioneve që nuk po bëjnë sa duhet për ta ulur papunësinë dhe për t’u ofruar kushte më të mira qytetarëve.

Ndërkaq, një tjetër punëtor, që po ashtu nuk dëshiron t’i përmendet emri, thotë se e tërë familja e tij varet nga puna që bën ai.

“Ndodhë një ditë punojmë, e 10 ditë tjera s’na merr askush. Bëhemi qindra punëtorë në mëngjes. Kemi provuar të shkojmë në komunë disa herë, por çfarë, s’ke shans me hy brenda, sepse s’të lejon sigurimi. Jo nuk është këtu ai, nuk është ky, me fjalë tjera veç sa me na largu”, ka thënë ky punëtor rreth të 50-tave, nga një paralagje e Mitrovicës.

Për gjendjen në të cilën ndodhet, ai kritikoi institucionet komunale, që sipas tyre, nuk po bëjnë asgjë për këtë shtresë.

Në anën tjetër, Ramadan Kelmendi, drejtor i Qendrës Rajonale për Punë Sociale në Mitrovicë, ka thënë se ky qytet ka shkallën më të lartë të papunësisë në vend.

“Një prej problemeve më të rëndësishme për të cilën shoqëria nuk është kujdesur në tërësi është pikërisht punësimi”, tha mes tjerash Kelmendi.

Sipas tij, Mitrovicës i mungon tregu i punës, sepse ka shitore, pastaj biznese etj, të cilat janë të karakterit privat dhe punësojnë familjarë.

Ai bëri të ditur se në Qendrën Rajonale punë kërkojnë një shkallë e lartë e të rinjve me të gjitha përgatitjet profesionale.

“Janë gjithsej rreth 70 mijë punëkërkues të regjistruar në rajonin e Mitrovicës të cilët kërkojnë punë”, theksoi Kelmendi. /Telegrafi/