LAJMI I FUNDIT:

PTK nuk mban përgjegjësi për mbylljen e pikave të shitjes

PTK nuk mban përgjegjësi për mbylljen e pikave të shitjes

Posta dhe Telekomi i Kosovës shpreh keqardhje të thellë dhe u kërkon ndjesë të gjithë konsumatorëve të cilët nuk kanë mundur që të marrin e blejnë produktet e PTK-së dhe të realizojnë pagesat për nevojat e tyre me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve dhe produkteve që ofron VALA dhe Telekomi.

Ky problem është shkaktuar pas një vendimi të Postës së Kosovës, e cila është distributor zyrtar i PTK-së, për mbylljen në disa vende të pikave shitëse të PTK-së dhe në veçanti në kryeqytet.

Posta dhe Telekomi i Kosovës nuk mban asnjë përgjegjësi për mbylljen e këtyre pikave dhe se e tërë barra e përgjegjësisë bie mbi Postën e Kosovës si entitet legal i ndarë nga PTK që nga 1 gushti i këtij viti.


“Ndërprerja dhe pengesat e ndryshme në procesin e punës dhe të shitjes nga Posta e Kosovës, para së gjithash është dëmtim direkt i kompanisë, respektivisht i PTK-së, Postës së Kosovës dhe Aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këto veprime në të njëjtën kohë e dobësojnë pozicionin e PTK-së karshi konkurrencës dhe gjithashtu veprime si këto, janë të njëanshme dhe indikative, gjë që mund të ndikojnë direkt edhe në humbjen e konsumatorëve duke shkaktuar me këtë rast edhe dëme të mëdha financiare.

Përfundimisht, bllokimi i procesit të punës nga ana e Postës së Kosovës në këtë kohë, është mjaft kritik dhe ndikon negativisht tek të gjitha palët e sidomos tashmë kur PTK është duke u ballafaquar me sfida të shumta strategjike dhe biznesore në përmbushje të objektivave të zhvillimit të saj”, njofton Zyra për Informim e PTK-së. /Telegrafi/