Pse po heshtin PS e PD?

Këto dy ditë selitë e të dyjave partive politike kanë qenë në heshtje totale, duke mos bërë pothuajse asnjë deklaratë lidhur me procesin zgjedhor, edhe pse fitorja dhe humbja si në Tiranë dhe në rang vendi tashmë është e qartë.
Madje edhe prezenca e liderëve në selitë përkatëse nuk ka qenë e shpeshtë, pothuajse ka munguar; të vetmit që kanë qëndruar gjatë gjithë kohës kanë qenë mediat dhe specialistë të shtypit apo të tjerë që merren me të dhënat përmbledhëse për ecurinë e procesit. Ndërkohë sot edhe faqja zyrtare online e PD-së ka pësuar një defekt, dhe ka dalë jashtë funksionit, por sipas informacioneve mësohet se kjo është diçka e përkohshme dhe do të jetë funksionale shumë shpejt.
Edhe në selinë e PS-së situata është e njëjtë, ka heshtje, nuk është njoftuar asnjë dalje publike deri më tani; por sipas informacioneve nga të dyja selitë pritet që të mbyllet i gjithë procesi i numërimit dhe më pas do të ketë një deklaratë nga kryetarët përkatës; konkretisht Edi Rama në selinë e PS-së dhe Lulzim Bashan në selinë e PD.
Në fakt këto ishin zgjedhjet e para të zhvilluara në mënyrë kaq të qetë dhe të paqme, pasi krahasuar me zgjedhje të tjera; është parë një entuziazëm i parakohshëm jo vetëm i liderëve politikë por edhe i simpatizantëve dhe militantëve partiakë, të cilët ende pa dalë rezultati kanë dalë në media orë pas ore për të vetshpallur fitoren. Por duket se këtë herë Shqipëria ka shënuar standard, ku ashtu sikurse është cilësuar edhe nga raporti i djeshëm i OSBE/ODIHR; pavarësisht disa parregullsive në tërësi këto zgjedhje u quajtën të qeta dhe pozitive. /Telegrafi/


































