Site icon Telegrafi

Pse i ati e ndaloi të luante futboll – pasionin e tij? Detaje nga jeta “sekrete” e Recep Tayyip Erdogan!

Disa e adhurojnë, disa e urrejnë, të tjerë e kanë frikë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është një figurë kaq e polarizuar muajt e fundit. Ai është në pushtet që prej 13 vitesh, por pak gjëra dihen për jetën e tij private.

Me ndihmën e ekspertëve, biografëve dhe kundërshtarëve, rrjeti gjerman ZDF ka përgatitur një dokumentar me titull: “Njeriu Erdogan-sekretet e presidentit turk”.

Shumica e turqve e adhurojnë presidentin e tyre. Ai është njeriu i fjalëve të qarta dhe gjesteve të forta.

Profesoresha Jenny White thotë: “Ai ka talentin dhe karizmën e nevojshme për të zgjuar krenarinë e turqve dhe për ta përdorur për vete”.

Në vitin 2015, Erdogan ndaloi një të ri që po kryente vetëvrasje në një urë në Stamboll. Autokolona e tij po kalonte në momentin kur i riu po bëhej gati të hidhej. Erdogan i thirri dhe u kujdes që ai të mos hidhej. Inskenim apo e vërtetë? Veçanërisht për turqit konservatorë, Erdogan shihet si babai i kombit.

Por jashtë vendit e shohin si një udhëheqës autoritar, një diktator.

Në dokumentarin e ZDF citohen dokumente të shërbimeve të inteligjencës perëndimore në vitin 2016 ku thuhet se Erdogan e ka humbur lidhjen me realitetin dhe është kthyer në një autokrat të vetmuar.

Erdogan u rrit me katër fëmijë të tjerë në lagjen Kasimpasha të Stambollit, një lagje e varfër në port.

Babai ishte marinar, kurse mamaja kujdesej për disiplinën dhe devotshmërinë. I ati e ndaloi të birin të luante futboll-pasionin e tij, sepse pantallonat e shkurtra nuk përshtaten me besimin mysliman.

Kurse mamaja e tij donte që i biri të martohej me një vajzë të mbuluar plotësisht, por ai e kundërshtoi, duke i thënë se kjo do i dëmtonte karrierën politike.

Në rrugët e kësaj lagje ai nisi të formojë karakterin. Më vonë u fut në politikë dhe në vitin 1994 u zgjodh kryebashkiak i Stambollit.

Aktualisht ai jeton me të shoqen, Eminen, në pallatin presidencial në Ankara: Një ndërtim luksoz me 1 mijë dhoma dhe 40 mijë metra katrorë në mes të një zone të mbrojtur natyrore.

Ndarja e detyrave e tij është e qartë: Burri punon, gruaja kujdeset për katër fëmijët dhe punët e shtëpisë.

Emineja e mbështet bashkëshortin e saj. Thuhet se ajo edhe ndikon ndjeshëm tek ai.

Nuk dihen shumë detaje, por thuhet se ai është besimtar i bindur, nuk pi duhan, nuk konsumon alkool dhe shkon gjithmonë në faljen e të premtes.

Dokumentari spekulon se ai merret shumë me sport për shkak të peshës dhe problemeve shëndetësore.
Dokumentet sekrete sugjerojnë se ai ka pasur probleme me shëndetin që prej vitit 2007, dyshohet për hernie diskale, që i rrezikon mundësinë për të punuar.

Sa i takon pushtetit, në vitin 2004 ai u prezantua si një reformator. Në atë kohë kancelari gjerman, Gerhard Schroeder i dha çmimin “Europiani i vitit”. Por gjërat kanë ndryshuar me kalimin e viteve, sidomos pas grushtit të dështuar të shtetit.

Ish-kryeredaktori i gazetës Cumhuriyet, Can Dundar thotë: “Sa më shumë pushtet merr, aq më shumë i ndikon për keq pushteti. Këtë helm që e merr nga pushteti po e përhap edhe në Turqi”.

Spekulime ka edhe për pasurinë e tij, përcjell mapo.al. Si kryeministër ai paguhej me rreth 9 mijë euro në muaj. Por 62-vjeçari është një multi-milioner.

Në një memo sekrete të ambasadës amerikane thuhet se ai ka të paktën tetë llogari bankare në Zvicër.

Fakt është se Erdogan është gjithmonë e më shumë nën dyshime për korrupsion.

Në vitin 2013 u publikua një regjistrim telefonik mes tij dhe të birit, Bilalit, ku i thotë të zhdukë një sasi të madhe parash cash. Presidenti e mohoi vërtetësinë e telefonatës, por nuk pati kurrë një hetim.

Ky është një nga misteret e mëdha të Erdogan. Pyetja është nëse do zgjidhet ndonjëherë?

Exit mobile version