LAJMI I FUNDIT:

Përfundon protesta e punëtorëve teknik të UP-së, refuzojnë “ofertën” nga Rektorati

Përfundon protesta e punëtorëve teknik të UP-së, refuzojnë “ofertën” nga Rektorati

Punëtorët teknik të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë protestuar para Rektoratit, duke kërkuar që paga minimale e tyre të mos jetë më e vogël se 350 euro.

Para nënshkrimit të kontratës së re, ata kanë kërkuar nga Rektorati që të marrë parasysh kërkesat e tyre, në të kundërtën kanë deklaruar se nuk i kryejnë detyrat që i kanë.


Por, nga takimi që kanë zhvilluar sot në Rektorat, atyre u janë ofruar tre kategorizime të punëtorëve sa i përket pagës, e që punëtorët thonë se nuk pranojnë diçka të tillë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, tha se punëtorët nuk qëndrojnë më me 250 euro pagë.

“Sot kemi ardhur të tërheqim vërejtjen Rektoratit të Universitetit të Prishtinës lidhur me nënshkrimin e kontratës së re e cila ka të bëjë me shërbimet e punëtorëve teknik në Universitetin e Prishtinës. Nuk do të lejojmë që punëtorët të diskriminohen siç janë diskriminuar në periudhat e mëhershme. Kërkesë imediate është që këta punëtorë kanë qenë punëtorë direkt të Rektoratit dhe këta punëtorë duhet të kalojnë direkt në menaxhimin e Rektoratit, sepse në këtë formë po diskriminohen dhe po keqpërdoren”, tha Azemi.

Ai shtoi se nuk është me rëndësi për ta se cila kompani i merr shërbimet, veçse kërkojnë që obligimet ligjore të zbatohen.

Tutje, Azemi u prit në një takim në Rektoratin e UP-së, në të cilin tha se iu ofrua kategorizim i punëtorëve, me pagë 280 euro, 320 dhe 350 euro.

Pas takimit, Azemi tha se nuk e pranojnë një kategorizim të tillë, dhe se mund të bisedojnë vetëm për pagën minimale 350 euro e tutje.

E Hysni Gashi, njëri nga protestuesit, tha se punëtorët teknik vetëm po shfrytëzohen dhe se pagat e tyre nuk po rriten, meqë prej buxhetit përfitojnë të tjerët.

Pas takimit, Jusuf Azemi tha se këta punëtorë teknik kanë punuar edhe në mungesë të 40 punëtorëve tjerë, andaj sipas tij, Prokurori i Shtetit duhet të nisë hetime për korrupsion.

Ai tha se nëse nuk ka garanci me shkrim se paga e këtyre punëtorëve do të jetë mbi 350 euro, greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. /kp/Telegrafi/