Site icon Telegrafi

Protesta civile kundër zgjedhjeve lokale në Shqipëri

Në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet lokale 2019 për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në 61 bashki. Gjatë pothuaj tre dekadeve post-komuniste këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen në kushtet kur presidenti Ilir Meta i ka cilësuar jo të ligjshme dhe kur opozita kryesore në vend, e drejtuar nga Partia Demokratike (PD) nuk merr pjesë.

Orët e para të zhvillimit të zgjedhjeve janë karakterizuar nga disa protesta të qytetarëve para qendrave të votimit, në 3 shkolla të mesme në Tiranë. Qytetarë, kryesisht mbështetës të opozitës, protestojnë ndaj zhvillimit të zgjedhjeve pa opozitën, duke i quajtur zgjedhjet e kësaj të diele “zgjedhje moniste”.

Bojkoti i opozitës ka sjellë që në 31 bashki përballë kandidatëve për kryetar bashkie të mos ketë asnjë konkurrent. Partitë e reja opozitare parlamentare nuk arritën dot të kenë kandidatura.

Ato u formuan nga ish-kandidatë për deputetë, në listat e PD dhe LSI, që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe hynë në Parlament pas heqjes dorë në bllok nga mandatet parlamentare te deputetëvetë PD dhe LSI, që protestojnë prej katër muajsh për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij.

Lexo po ashtu Rama pas votimit: Sot po ndodh diçka historike

Kryetari i PD dhe opozitës jashtë parlamentare Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të bojkotojnë votimin dhe të mos marrin pjesë në zgjedhje, të cilat i cilëson si “farsë” dhe kthim pas në kohën e regjimit komunist, të zgjedhjeve një partiake

Zgjedhjet zhvillohen në një atmosferë tensioni. Në ditët që paraprinë 30 qershorin , në bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet e kaluara lokale, të vitit 2015, ka patsur protesta dhe mosbindje civile nga mbështetës të opozitës, janë bllokuar qendra votimi, janë djegur materiale votimi. Policia ka arrestuar rreth 50 autorë që kanë kryer akte dhune për të pamundësuar zgjedhjet. Ajo ka hapur me forcë qendrat kyçura me dry të votimit, kryesisht shkolla.

Lexo po ashtu Zgjedhjet në Shqipëri, rreth 7800 policë të angazhuar

Ndonëse, Presidenti Meta i quan zgjedhjet lokale të kësaj të diele “të paligjshme” ato po zhvillohen sipas dekretit të tij, në tetor 2018 që vendosi 30 qershorin si datë. Dy dekrete të njëpasnjëshme gjatë këtij muaji, që shfuqizuan 30 qershorin dhe caktuan 13 tetorin e këtij viti si datën e re u shpallën “nul” nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor, Gjykata më e lartë për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti Meta nuk u njohu këtyre organeve kompetencën për zhvlerësimin e dekreteve presidenciale.

Lexo po ashtu Tre dekada pas rikthimit të pluralizmit, zgjedhje të pazakonta në Shqipëri

Parlamenti po vijon procedurat për shkarkimin e Presidentit Meta, pasi e konsideron akt antikushtetues shfuqizimin e 30 qershorit si datë zhvillimit të Lokaleve 2019.

Zgjedhjet Lokale 2019 po vëzhgohen nga misioni ndërkombëtar i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe vëzhgues nga vendet anëtare të BE, mes të cilëve edhe nga Gjermania. /DW/Telegrafi/

Exit mobile version