LAJMI I FUNDIT:

Pronari i ri PTK-së dihet në fund të janarit

Pronari i ri PTK-së dihet në fund të janarit

Qeveria e Kosovës i ka premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar se gjatë muajit janar do të përzgjedhë fituesin e tenderit për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).

Fituesi i këtij tenderi bazuar në shkresën e Qeverisë dërguar FMN-së thuhet se do të caktohet nëpërmjet një procesi transparent, ndërkohë që transaksioni i plotë nga shitja e aksioneve të kësaj ndërmarrjeje do të kompletohet më së largu deri në muajin qershor.

Në të njëjtën letër i është kërkuar falje Fondit për vonesën e bërë gjatë muajit gusht për të hapur garën për privatizimin e PTK-së. Atë kohë, Qeveria obligohej që të shpallte tenderin për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje më së largu deri më 31 gusht, përderisa Ekzekutivi pati hapur këtë garë me dhjetë ditë vonesë, shkruan Koha Ditore.

“Oferta fituese për PTK-në pritet të shpallet në janar, ndërsa transaksioni është parashikuar të kompletohet në gjysmën e parë të 2013-ës”, thuhet në letrën e “qëllimit” të nënshkruar nga kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, dërguar tek drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Christine Lagarde. /Telegrafi/