LAJMI I FUNDIT:

Promovohet Jakup Krasniqi

Promovohet Jakup Krasniqi

Të dielën, më 30 dhjetor në orën 12, në BKUK promovohet vepra më e re e Jakup Krasniqit, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Historiani, politikani, publicisti, veprimtari dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së në librin e nëntë të tij, “Pavarësi dhe personalitete” merret me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të përbashkëtat dhe të veçantat e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912 dhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

Libri sistemohet në tri njësi (pjesë): Pjesa e parë: Dy pavarësitë shqiptare; pjesa e dytë: Personalitete, dhe e treta: Dokumente, materiale dhe fotografi (album).


Autori me këtë libër jep ndihmesë pikërisht në vitin e madh të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, por që gjen momentin që në përmbyllje të këtij viti festiv ta promovojë librin, pikërisht më 30 dhjetor, datë që përkon edhe me 21-vjetorin e sulmit barbar serb në Prekaz, i cili do të kulmojë në marsin 1998, tragjedi kjo që sensibilizoi gjithë opinionin botëror se duhej shkëputur njëherë e përgjithmonë nga kthetrat serbosllave një popullatë liridashëse së cilës i ishin bërë padrejtësi që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Paqes e Parisit, Procesi i Prizrenit e kështu me radhë.

Pjesa e dytë i kushtohet me portretet apologjetike kontribuesve të pavarësisë: Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, Dedë Gjo Lulit, Themistokli Gërmenjit, Bajram Currit, Vëllezërve Bajo dhe Çerçiz Topulli, Motrave Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Avni Rustemit, Shotë Galicës, Fan S. Nolit dhe Ramiz Cërnicës (për qëndresën në Procesin e Prizrenit ku në mënyrë deçidive pati thënë: Me Serbinë – Jo! Me Shqipërinë – Po!) me një hyrje si parantezë, e dy portreteve për Skënderbeun dhe Adem Jasharin.

Pjesa e tretë ka një faktografi, duke evidentuar dokumente, materiale dhe fotografi që shënojnë shtetndërtimin e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Libri, me më se 400 faqe, ka një përgatitje tejet estetike dhe është botuar nga “Buzuku”, Prishtinë, i cili ka botuar në tërësi edhe veprat e tjera të Jakup Krasniqit.
/Telegrafi/