Prokuroria dhe familjarët e viktimave kërkojnë dënime maksimale për 6 të akuzuarit e “Durmo Turs” për tragjedinë në Llaskarcë. Prokurori Darko Jakimovski përveç dënimit, kërkoi edhe ndalesë për kryerjen e veprimtarisë për personat e akuzuar.
Në fjalët e tyre përfundimtare avokatët e të akuzuarve hodhën fajin dhe përgjegjësinë ndaj njëri tjetrit. Avokatët e punonjësve të kompanisë fajësuan vozitësin për të cilin thonë se nuk ka qenë i vëmendshëm derisa drejtonte automjetin, ndërsa avokati i shoferit thotë se aksidenti ka ndodhur për shkak të problemeve teknike të automjetit.
Kujtojmë se më 13 shkurt të vitit 2019, në afërsi të fshatit Llaskarcë, autobusi i “Durmo Tursit” që po udhëtonte nga Shkupi për në Gostivarë, doli nga autostrada dhe si pasojë humbën jetën 16 persona dhe 37 të tjerë u lënduan. Për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik akuzohen 6 persona, pronari i Durmo Tursit, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski.
Tre të akuzuarit e tjerë janë punonjës te stacionit të kontrollit teknik, të cilët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.