LAJMI I FUNDIT:

Prishtina, me rezidencë për krijuesit

Prishtina, me rezidencë për krijuesit

Shkrimtarët, poetët, eseistët, kolumnistët, ilustratorët, përkthyesit dhe dramaturgët nga Evropa Qendrore dhe ajo Juglindore mund të jenë mësuar me rezidencat artistike e letrare kudo në këtë territor. Ata mund edhe të jenë mësuar me lumenjtë e kryeqyteteve evropiane, por për herë të parë ata do të mësojnë edhe për Prishtevkën dhe Stallovën, dy lumenjtë e zhdukur të Prishtinës, e që sot nuk janë më.

Siç shkruan Zëri, një mundësi e tillë vjen për herë të parë për ata që duan të qëndrojnë një muaj në Prishtinë, në një rezidencë letrare në një apartament dhe plus me 700 euro të ardhura mujore. Bëhet fjalë për rezidencën “Prishtina nuk ka lumë”-2013, e cila organizohet nga Qendra Multimedia në kryeqytet. Jeton Neziraj nga Multimedia thotë se projekti po bëhet si një nevojë e kthimit të borxhit që shkrimtarët tanë u kanë të tjerëve.

“Shumica e autorëve tanë përjetojnë të tilla eksperienca kudo në Evropë, në Vjenë, Paris e Split. Ky projekt le të shihet si një kthim i borxhi për të tilla projekte në të cilat ne kemi pasur mundësi të avancohemi” ka thënë Neziraj. Ai tregon se këto rezidenca si formë e dhënies së bursave për shkrimtarë janë një dukuri e re për Kosovën, e para eksperiencë e tillë, por kjo mbetet praktikë e vjetër për metropolet evropiane. Koncepti i Prishtinës pa lumë, sipas tij, reflekton zymtësinë e këtij qyteti.

Programi do të zërë vend në muajt maj, qershor, korrik, shtator, tetor dhe nëntor, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Kosovës ata do të përdorin punën e tyre si një mjet për të eksploruar jetën kulturore që zhvillohet brenda Prishtinës, pa pasur mundësi të lundrojnë apo të qetësohen pranë një lumi ose deti të munguar këtu, prej kohësh.

Autorët do të duhet të marrin pjesë edhe në prezantime me anë të të cilave do të synohet lidhja me kulturën dhe audiencën kosovare. /Telegrafi/