Banorëve të Prishtinës, të Graçanicës dhe fshatrave tjera përreth që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badovcit, do tu ofrohet një ujë sa më i pastër e sigurt për pije. Krejt kjo falë ndërtimit të një impianti që do të bëhet për pastrimin e ujërave të zeza, gurthemeli i të cilit u vë sot në Liqenin e Badovcit.

Përmes këtij impianti do të bëhet pastrimi i ujërave të zeza që deri më tani janë derdhur në Liqenin e Badovcit. Ky projekt vjen donacion nga Republika Çeke në bashkëpunim dhe Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Pritet që rrjeti i kanalizimit të përfundojë shumica këtë vit, derisa në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm pritet të përfundoj impianti në tërësi. Krejt ky projekt arrin shumën prej 1 milion e gjysmë euro.

Përfaqësues të Republikës Çeke, të Qeverisë së Kosovës, të Komunës së Prishtinës, të Ujësjellësit “Prishtina” e banorë të fshatrave përreth u mblodhën sot në Liqenin e Badovcit për të vënë gurëthemelin e këtij projekti. Protagonistët e këtij projekti e vlerësuan lartë nisjen e punimeve drejtë ndërtimit të këtij impianti. Sipas tyre, në këtë mënyrë, tek qytetarët do të arrijë një ujë sa më i sigurt për pije.
IMG_0859
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani tha se ky bashkëpunim është shpresë që edhe në të ardhmen, problemet e shumta mjedisore me të cilat ballafaqohet Kosova, do të adresohen më mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Rëndësia e këtij projekti është e shumëfishtë edhe në aspektin e drejtpërdrejtë të sigurimit të ujit cilësor të pijes të Liqenit të Badovcit. Me këtë projekt do të arrijmë që ujërat e zeza të shndërrohen praktikisht në ujëra të cilat nuk do të përmbajnë asnjë materie helmuese për jetën e gjallë në Liqenin e Badovcit dhe për ujin e pijes që ne e marrim nga ky liqe. Për më tutje, ky impiant dhe ky projekt do të ndihmojë që vetëdijesimi i qytetarëve, banorëve të kësaj ane të rritet në shkallën më të lartë, për rëndësinë e mjedisit”

Sipas Aganit, ky projekt është një dëshmi se edhe institucionet qendrore edhe ato lokale, edhe vet komuniteti dhe banorët janë të vetëdijshëm për këtë rëndësi. Ai u zotua se do të vazhdojnë të mbështesin projekte të tilla.

E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se presin që në këtë mënyrë do të përmirësohet cilësia e ujit për qytetarët.

“Për neve është shumë më rëndësi që kanalizimet, apo ujërat e zeza, të cilat kanë ardhë në Liqenin Badovc, të trajtohen, dhe ky projekt tashmë nuk eshët që siguron ujë të pijshëm për Prishtinën, megjithatë e bënë më të lehtë procesin e pastrimit të ujit për shkak se ne do ta pastrojmë në këtë vend, ujin që vjen prej tre fshatrave, Mramor, Busi, Sutjeskë, dhe do ta lehtësojë bukur shumë punën e ujësjellësit dhe do ta përmirësojë cilësinë e ujit të cilin ne e marrim në Komunën e Prishtinës.

Ai bëri tè ditur se ky projekt arrin vlerën e 1 milionë e gjysmë euro. I pari i Prishtinës bëri të ditur se rreth 700 mijë euro do të kushtojë impianti i cili ndërtohet këtu që do t’i trajtojë ujërat e zeza e që financohet nga Qeveria Çeke dhe 800 mijë euro Komuna E Prishtinës do të ndërtojë 22 km kanalizim.

Drejtori, Gjelosh Vataj ua kujtoi qytetarëve se edhe deri tani ujin e kanë pas të sigurt. “Mos të harroj të sigurojë qytetarët që edhe deri sot ujin e kanë pas të pijshëm. Uji ka qenë shumë i sigurt por kjo neve na siguron edhe na lehtëson punën që të arrijë uji sa më i mirë tek qytetarët”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Republikës Çeke, Ivo Silhavy tha se përmes këtij projekti duan të ndihmojnë kosovarët drejtë përmirësimit të cilësisë së jetesës. /Telegrafi/