Komuna e Prishtinës vazhdon të përballet me numrin më të lartë të rasteve të reja me sëmundjen e infeksionit me COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë për Klan Kosova se aktualisht në kryeqytet janë 800 raste aktive me coronavirus.

Ai ka kërkuar rritjen e numrit të testimeve për coronavirus, në mënyrë që zbulimi i sa më shumë rasteve të reja do ta pengonin përhapjen e mëtejme.

Megjithatë, Gashi ka përjashtuar mundësinë e një mbylljeje totale në Prishtinë, duke thënë se kufizimi i orarit të lëvizjes nuk ka sjellë ndonjë rezultat të madh në të kaluarën.

Ndryshe, nesër ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj do të ketë një takim me kryetarin Shpend Ahmeti për të diskutuar në lidhje me gjendjen aktuale me coronavirus në kryeqytet.

Që nga shpërthimi i epidemisë në muajin mars e deri më tash në Komunën e Prishtinës janë konfirmuar 5.860 raste me coronavirus, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 80 persona.