Site icon Telegrafi

Prezantohet PC-ja për “gejming”, është paksa më i madh se një banane – nuk është aspak i lirë

Në pesë vitet e fundit, kompania amerikane Framework Computer ka prodhuar laptopë të projektuar posaçërisht në mënyrë që komponentët e tyre të mund të ndryshohen dhe përmirësohen. Tani ata vendosën të bëjnë një hap përpara.

Framework Computer ka prezantuar PC-në e parë desktop që ruan natyrën modulare të pajisjeve të kësaj kompanie, që nënkupton idenë e një kompjuteri kompakt të aftë për të luajtur në rezolucion 1440p dhe të rregullueshëm në disa nivele.

Si fillim, shtëpiza Framework Desktop përmban hyrje të zëvendësueshme të përparme – kur blini një shtëpizë klasike, keni vetëm hyrjet që vijnë me të (USB, 3.5 mm, lexuesi i kartave SD, etj.), por me Framework, modulet mund të futen.

Screenshot

Pra, në pjesën e përparme mund të keni një kombinim të një porti Ethernet dhe USB-C/A, një kombinim të një lexuesi të kartave SD dhe një port kufjesh, etj. Ana e përparme e kompjuterit është gjithashtu modulare dhe mund të personalizohet, transmeton Telegrafi.

Framework Desktop faturohet si një PC që mund të montohet në dhjetë minuta. Është gjithashtu shumë i vogël – 22,6 cm i lartë, 20,5 cm i gjatë dhe 9,6 cm i gjerë, dhe vjen me një dorezë opsionale për mbajtje.

Screenshot

Edhe pse ka përmasa mini-ITX, është një kompjuter shumë i fuqishëm i mundësuar nga seria e procesorëve AMD Ryzen AI 300, i cili mund të kombinohet me deri në 128 GB memorie pune LPDDR5x-8000.

Edhe 96 GB memorie mund të vihet në dispozicion për lojëra, dhe për sa i përket fuqisë grafike, ky procesor është diku në rangun e kartave RTX 4060.

Nga Framework ata thonë se edhe lojërat më të kërkuara në këtë PC duhet të funksionojnë pa probleme në rezolucion 1440p, për sa kohë që nuk ka “raytracing”.

Framework Desktop do të dalë në treg në fund të vitit 2025, por mund të porositet tani. Çmimet fillojnë nga 1,309 euro (32 GB) ose 2,359 euro (128 GB) për bazikun (pa disk, ftohës CPU, etj.), si dhe pa module shtesë dhe opsione rregullimi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version