Presidenti mbështet Kolegjin Zgjedhor

“Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit! Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike”, tha presidenti.
Presidenti Topi nënvizoi se “është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar!”.
Presidenti I bëri komentet në takimin me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexsander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth. Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend. Ambasadorët u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor.
Ambasadorët shprehën gjithashtu mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend./Telegrafi/









































