Site icon Telegrafi

Presidente, shpalli zgjedhjet

Derisa gjendemi në një situatë kur të gjithë kanë të drejtë dhe të gjithë e kanë gabim, zgjidhja do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja. E drejta në anën e PDK-së është se koalicioni parazgjedhor doli fitues i zgjedhjeve, ndërkohë që blloku VLAN e ka me të drejtë faktin se i ka numrat. Ajo që nuk i shkon përshtat PDK-së është mungesa e numrit të deputetëve për formimin e institucioneve, ndërsa VLAN-i si koalicion paszgjedhor nuk e ka ligjin në anën e vet. Dhe, në një rreth vicioz, ku asnjëra nga palët nuk heq dorë nga qëndrimet e veta, pëson shteti dhe nuk ka formim të institucioneve.

Pse PDK nuk duhet të lëshojë rrugë, përkundër mungesës së numrave në Kuvend?

Sepse doli si partia më e madhe në vend në zgjedhjet e qershorit (natyrisht së bashku me partitë përbërëse të koalicionit parazgjedhor) dhe ligji thotë se kush i fiton zgjedhjet ka të drejtë që të udhëheqë institucionet. Nëse lëmë anash ligjin dhe marrim parasysh vendimin e sovranit (të shumëpërmendur), duhet theksuar se 30.38 për qind e votuesve votuan që kryeministër i Shtetit të jetë kandidati i PDK-së, kurse 9.54 për qind që kryeministër të jetë kandidati i AAK-së (në këtë rast Ramush Haradinaj). 30.38 për qind e votuesve votuan që kandidati i PDK-së të jetë kryetar i Kuvendit, kurse 25.24 për qind që Parlamentin ta drejtojë një kandidat i LDK-së (gjegjësisht Isa Mustafa, i caktuar nga marrëveshja e LAN-it plus VV)…

Nëse vazhdojmë kështu, del se në votime të drejtpërdrejta më shumë qytetarë e votuan projektin e PDK-së për qeverisje në raport me cilindo projekt të cilitdo subjekt tjetër që ishte i përfshirë në zgjedhje. Derisa marrëveshja paszgjedhore ishte një ujdi e shefave të partive dhe jo vendim i votuesve të tyre.

Pse nuk duhet të lëshojë pe VLAN-i?

Sepse kanë një marrëveshje dhe i kanë deputetët e mjaftueshëm për të votuar në Kuvend, porse në bazë të Kushtetutës nuk u jepet shansi për të votuar meqenëse ky “ekskluzivitet” i takon subjektit që doli i pari në zgjedhje. Prandaj, LDK, AAK dhe Nisma (dyshoj nëse Lëvizja Vetëvendosje do të përfshihej në një koalicion parazgjedhor?) duhet ta provojnë të dalin bashkë në zgjedhjet e reja dhe elektoratit të tyre t’ua prezantojnë projektin e përbashkët. Dhe, në rast se dalin më të fortë se PDK-ja (dhe koalicioni i tyre), atëherë pas zgjedhjeve do të kishin të drejtë ligjore t’i formonin institucionet së bashku me Vetëvendosjen (?) dhe partitë e pakicave. Në të kundërt, nëse fiton prapë PDK, ose nëse diferenca është e vogël dhe asnjë nga partitë nuk mund të formojë institucionet, atëherë do të ishin të detyruar të formonin një qeveri më të gjerë.

Prandaj, meqenëse askush nuk e ka në plan të tërhiqet nga qëndrimet (?), për të mos e zgjatur më shumë këtë situatë të palakmueshme, presidentja e Shtetit duhet të intervenojë në shpalljen e zgjedhjeve të reja. Këto zgjedhje do t’i shkaktonin një dëm buxhetit të shtetit, mirëpo duken si zgjidhje e vetme.

 

Exit mobile version