Bayezid Hossain, djaloshi nga Magura në Bangladesh, në pamje të parë duket si një plak 70-vjeç, por e vërteta është se ai ende nuk e ka festuar ditëlindjen e pestë!
Për fat të keq, Bayezid ka lindur me progeri, sëmundje e pashërueshme gjenetike e cila e bën njeriun të duket i vjetër, sa që fëmijët e tjerë të lagjes ikin nga ai kur e shohin nëpër rrugë, transmeton Telegrafi.
Nëna e tij Tripti Khatun, thotë se Bayezid në fakt është inteligjent mbi mesataren për moshën që e ka, dhe e ka përshkruar si fëmijë hiperaktiv, llafazan dhe shumë mendjemprehtë.
Ajo e kishte sjellë në jetë Bayezidin kur ishte vetëm 14-vjeçe, një vit pasi ishte martuar me kushëririn e parë Lovelua Hossain, traditë kjo që konsiderohet e zakonshme në pjesët rurale të këtij vendi.
“Kam qenë e shokuar kur ka lindur. Dukej si jashtëtokësor dhe ky fakt më thyente zemrën”, ka deklaruar para gazetarëve nëna e tij, e cila shtoi se sot mburret me të.
Me kalimin e kohës, djaloshi u bë i vetëdijshëm për gjendjen e tij, por Tripti pranoi se ka momente kur tërë ditën e kalon duke qarë pasi ndihet i anashkaluar nga shoqëria.
Bayezid sipas gjitha gjasave nuk do të jetojë gjatë, pasi që fëmijët e prekur nga progeria vdesin rreth moshës 13-vjeçare nga sulmet në zemër, ndërsa për asnjë moment nuk guxon të ëndërrojë se do ta takojë ndonjë vëlla apo motër, pasi prindërit e tij ka hequr dorë nga krijimi i familjes, pasi frikësohen se mund t’iu përsëritet e njëjta gjë. /Telegrafi/