Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka thënë sot se ka kërkuar nga Gjermania që t’i dërgojë Ukrainës sistemin raketor Patriot, pavarësisht se është planifikuar që një i tillë t’i dërgohet Polonisë.

“Pas sulmeve raketore ruse kam kërkuar nga Gjermania që bateritë e sistemit raketor Patriot që i janë ofruar Polonisë, t’i dërgohen Ukrainës në kufirin e saj në pjesën perëndimore. Ky sistem do ta mbrojë Ukrainën nga vdekja dhe mungesa e energjisë elektrike – duke rritur sigurinë në kufirin tonë në lindje”, ka shkruar Blaszczak në Twitter, transmeton Telegrafi.

Të hënën nga Polonia njoftuan se do të propozojë vendosjen e sistemeve shtesë raketore të tipit Patriot në afërsi të kufirit me Ukrainën, pasi një ofertë e tillë i është bërë nga Gjermania.

Reklama
Reklama

Berlini i ka ofruar Varshavës sistemin e mbrojtjes kundërajrore Patriot, që do ta ndihmonte të siguronte hapësirën ajrore, pasi një raketë javën e kaluar përfundoi në territorin e Polonisë.

Më herët kishin bërë të ditur se do ta ndihmojë fqinjin lindor, në mbrojtjen e hapësirës ajrore me aeroplanë luftarakë gjermane Eurofighter.

E raketa që goditi Poloninë javën e kaluar, ia mori jetën dy personave, kurse u konstatua se ajo ishte shkrepur nga mbrojtja kundërajrore e ukrainasve që kishin për qëllim rrëzimin e një rakete ruse që e kishin shkrepur ushtarët e Putinit. /Telegrafi/