Site icon Telegrafi

Policia nis hetimet në Prizren, pas ankesave të prindërve se afër shkollës po sillen persona të dyshimtë me vetura

Policia në Prizren ka nisur të hetojë ankesat e disa prindërve, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se një veturë e dyshimtë është duke u lëvizur rreth shkollave, duke tentuar të josh fëmijët dhe t’i fus në veturë.

Në redaksinë e Telegrafit, prindi R.J ka raportuar se fëmijët e tij ka tentuar t’i merr një person i panjohur me veturën e tij.

Sipas tij, rasti ka ndodhur në afërsi të një shkolle në Prizren.

“Dy fëmijë kanë dalë nga shkolla duke shkuar në një market, edhe një person i ka ftuar të hyjnë në veturë”, tha ai, duke shtuar se fëmijëve u kishte premtuar ëmbëlsira.

Ky prind i tha Telegrafit, se personi ka qenë i panjohur për ta dhe rastin e ka paraqitur në Policinë e Kosovës.

Nga Policia e Kosovës në Prizren kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet mbi ankesat e prindërve.

“Kemi pranuar disa ankesa të prindërve, dhe kemi nisur hetimet mbi ankesat e prindërve por deri tani nuk ka ndonjë të dyshuar për veprat penale ‘tentim rrëmbimi’, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai po ashtu tha se sot gjatë ditës do të kenë detaje mbi rastin.

Ndryshe, Telegrafi të enjten ka tentuar të marrë informacione edhe nga Drejtoria e Arsimit në Prizren, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version