LAJMI I FUNDIT:

Po vjen zgjidhja për interkonjeksionin Shqipëri-Kosovë

Po vjen zgjidhja për interkonjeksionin Shqipëri-Kosovë

Më në fund hapet drita jeshile për linjën e interkonjeksionit me Kosovën. Këtë e ka pranuar vetë ambasadorja gjermane, Karola Myler Holtkemper sot pas ankesave të saj të shpeshta për bllokimi e këtij projekti. Por sot, sipas diplomates gjermane, shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për linjën e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë.

“Sapo fola me ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikes dhe ai më siguroi, se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për këtë linjë të transmetimit të energjisë Kosovë-Shqipëri”, është shprehur ambasadorja për Ora News. Pavarësisht problemeve në këtë projekt Ambasada gjermane vijon që të investojë në sektorin e energjisë. Sipas ambasadores gjermane, në shkurt do të nisë ndërtimi i linjës unazore, që do të lehtësojë furnizimin me energji për jugun e Shqipërisë.

Qeveria gjermane dhe KFW do të japin 49 milionë euro për ndërtimin e linjës unazore të shpërndarjes së energjisë në pjesën jugore të Shqipërisë. Projekti është i ndarë në dy lote; i pari parashikon ndërtimin e linjës që fillon nga Vlora deri në Sarandë dhe pjesa e dytë parashikon rehabilitimin e linjës, duke filluar nga Korça, Erseka, Përmeti deri në Tepelenë. Projekti do të nisë në shkurt dhe pritet që të përmirësojë furnizimin me energji për këto qytete.

Marrëveshja u nënshkrua prej kreut të OST, Arben Ibroja. Sipas Ibros ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji në zonat turistike. Marrëveshja për linjën unazore të jugut u nënshkrua pas takimit të kryeministrit të Bosnje-Hercegovinës me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e METE-s, Edmond Haxhinasto./Telegrafi/