LAJMI I FUNDIT:

Po marr frymë vështirë, nuk po mund të fle gjumë – a duhet të shqetësohem?

Po marr frymë vështirë, nuk po mund të fle gjumë – a duhet të shqetësohem?

Këto simptoma janë të zakonshme në shtatzëni dhe cila është koha kur duhet të shkoni te mjeku

Shtatzënia nuk quhet një gjendje ndryshe pa arsye. Në këtë periudhë të jetës së nënës së ardhshme shfaqen simptoma që mund të shoqërohen lehtësisht me sëmundje të ndryshme, gjë që shqetëson shumë gra shtatzëna, transmeton Telegrafi.


Kur janë këto probleme një pasojë krejtësisht e natyrshme e një gjendjeje ndryshe dhe kur është arsyeja për t’u shqetësuar?

Disa nga këto simptoma janë vështirësia në frymëmarrje, dhimbjet e mitrës dhe pagjumësia, dhe më së shpeshti manifestohen në tremujorin e tretë të shtatzënisë, pra nga java e 28-të e deri në lindje.

Dhe ja pse ndodhin dhe si t’i eliminoni…

Vështirësi në frymëmarrje

Diafragma, ashtu si edhe organet e tjera, “zhvendoset” nga pozicioni i saj natyror për shkak të zmadhimit të mitrës, duke ulur kështu kapacitetin e mushkërive.

Për shkak të gjithë kësaj, ju ndieni se frymëmarrja juaj është e vështirësuar. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk duhet të shqetësoheni për beben, ajo nuk do ta ndiejë këtë shqetësim, sepse ju keni një sasi të mjaftueshme gjaku dhe hemoglobine që çojnë oksigjen te fetusi.

Në këtë rast, do t’ju ndihmojë të flini në krah, apo edhe ushtrimet e lehta. Ndërsa foshnja zbret në legen dhe përgatitet për të dalë, presioni në diafragmë zvogëlohet, kështu që këto simptomat do të zvogëlohen në fund të shtatzënisë.

Dhimbje në mitër

Dhimbja thumbuese, therëse ndonjëherë ndodh për shkak të zgjerimit të qafës së mitrës, dhe kjo nuk është e pazakontë. Është e pranishme në disa gra për shkak të zgjerimit të qafës së mitrës. Nëse dhimbja është jashtëzakonisht e fortë dhe përkeqësohet, është mirë që të konsultoheni me një mjek.

Pagjumësia

Shkaktarët më të zakonshëm janë shqetësimet për shkak të stomakut dhe pamundësia për të gjetur një pozicion të rehatshëm. Ndonjëherë ndodh për shkak të eksitimit për lindjen e fëmijës. Nëse shkaku është shqetësimi, do të ishte mirë që të mbështetni shpinën me një jastëk. Nëse problemi është eksitimi dhe shqetësimi për shkak të lindjes së afërt, mjekët këshillojnë gratë shtatzëna të përpiqen të relaksohen dhe libri zakonisht “e bën punën” më së miri. /Telegrafi/