Patrick do Seu, 20-vjeç, ka arritur ta shpëtojë një fëmijë nga një qen i racës pitbull i cili e kishte sulmuar brutalisht. Pa kurrfarë arme apo mjeti të fortë, ky i ri arriti ta shpëtojë 4-vjeçarin të cilin në fund e vendosi mbi një veturë të parkuar për t’i ikur dhëmbëve të mprehtë të qenit.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin, kur qeni sulmon 4-vjeçarin Jeao Pedro në një rrugë të Rio de Janeiro të Brazilit. Pitbulli e kishte kafshuar në këmbë dhe duar dhe kishte filluar ta tërheq zvarrë para se të ndërhynte Patricku, transmeton Telegrafi.
E videoja përveç që shfaq sulmin brutal të fëmijës, aty shihet edhe i riu që vrapon me shpejtësi në drejtim të tij me qëllimin e vetëm që ta shpëtojë. Ndërkaq i riu gjatë një interviste dhënë mediave braziliane, ka thënë se në ato momente tmerri kishte menduar për bijën e tij dyvjeçare.
“E paramendoja se ajo mund të jetë bija ime. Ajo është vetëm dyvjeçare, por ka të njëjtën madhësi. Kur e pashë se çfarë po ndodhte, mu fiksua në kokë se ajo është bija ime dhe për këtë reagova me kohë”, ka shtuar Patrick duke insistuar se nuk e konsideron veten trim apo hero për këtë gjest.
Patrick dhe Jeao janë detyruar të qëndrojnë në kulmin e një veture për gjysmë ore, para se të shfaqeshin disa persona që u dolën në ndihmë. Ndërkaq kujdestarja e vogëlushit që pa gjithë skenën e tmerrshme, tha se qeni ishte shfaqur nga askund dhe kishte sulmuar djaloshin.
Kujtojmë që të dy kanë pësuar lëndime të lehta trupore, kurse vogëlushin e kishte kafshuar qeni edhe në qafë. Nuk dihet se kush është pronari i qenit që aktualisht gjenden në një strehimore të kafshëve. /Telegrafi/