Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique ka dhënë një intervistë për Iker Casillas, duke diskutuar një rikthim të mundshëm në ish-klubin e tij, këtë herë si president.
Pique nuk e ka përjashtuar mundësinë për t’u bërë presidenti i Barcelonës në të ardhmen, por ai ka numëruar arsyet që do ta qonin deri te ky vendim.
“Kur të pyesin vazhdimisht për këtë, filloni ta konsideroni atë. Të jesh president i Barcelonës është një sakrificë e madhe dhe kjo është e qartë. Duke parë prapa, të gjithë presidentët e kaluar sakrifikuan më shumë sesa morën”, ka thënë fillimisht Pique gjatë intervistës.
“Unë nuk kam të njëjtën dëshirë për statusin e të qenit president si të tjerët. Por, nëse shoh se klubi me të vërtetë ka nevojë për dikë si unë – dikë që është rritur në Barcelonë, që kupton ngjyrat e saj dhe çfarë duan tifozët – atëherë do të ndjeja përgjegjësinë për të hyrë. Barcelona më dha gjithçka”.
“Gjithçka varet nga gjendja e klubit dhe nga shumë faktorë personalë në jetën time. Unë duhet të mendoj për këtë, por i detyrohem gjithçka Barçës”.
“Gjithmonë jam përpjekur të qëndroj afër kur klubi kishte nevojë për mua. Nëse një ditë ndjej se ndihma ime është e nevojshme, do të jem gati. Dhe nuk ka nevojë të jem as president”, përfundoi ish-mbrojtësi. /Telegrafi/